20:16 / E Enjte, 28 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Certifikimi i pallateve për banim në Shqipëri do të bëhet nga inxhinierë të huaj

Nëse janë të banueshëm apo jo pallatet që u dëmtuan nga tërmeti do të vendosin inxhinierët e huaj që ka thirrur qeveria shqiptare.

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Golemi se vlerësimi nuk do të bëhet nga inxhinierë ‘kap këtej dhe kap andej’ sikur tha ai, por grupe serioze nga Franca, Turqia dhe Greqia. Kreu i qeverisë u kërkoi banorëve në Golem që të mos qëndrojnë në banesat e tyre deri kur të thonë fjalën e tyre inxhinierët.

Mos u fusni më këtu me frikë. Ajo mund të mos ketë asnjë gjë, ajo mund të jetë problematike. Të vijnë ta shohin dhe t’u thonë kjo bëhet dhe kjo nuk bëhet. Duhet të jenë grupe serioze, nuk bëhet me inxhinier kap këtej dhe kap andej, prandaj i kam kërkuar të vijnë nga Franca, Turqia dhe Greqia sikur erdhën. Ta kemi tamam. Nuk e krijon rreziku frikën, por frika rrezikun.

Mos dëgjoni këto që dalin në TV dhe tregojnë përralla. Unë dje i kam pasur dje gjithë dynjanë në një shtëpi, meqë e kemi në një kat, pasi ishin në katet e larta dhe kishin parë tmerre” tha Rama. Nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të së martës u dëmtuan dhe u nxorën të pa banueshme shumë pallate në Tiranë, Durrës dhe Thumanë, ndërsa evidentimi i dëmeve vijon ende.