09:53 / E Premte, 29 Mars 2024 / A. M.

Formimi i drejtorisë së policisë për kryeqytet pritet të bëhet brenda vitit

Drejtoria e Policisë për kryeqytet pritet të bëhet brenda këtij viti. Kjo drejtori është bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës. Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica tha se përgatitjet janë në fazën finale. Njohës të fushës së sigurisë si dhe qytetarët thanë se e mirëpresin këtë drejtori për kryeqytet, e cila do të rriste sigurinë e tyre.

Sivjet pritet të bëhet policia e kryeqytetit, drejtori kjo e cila do të jetë e veçantë për Prishtinën, në mënyrë që të ofroj siguri për qytetarët në hapësirat publike.

Ky projekt, është bashkëpunim mes Policisë se Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica tha se përgatitjet për themelimin e drejtorisë së policisë në kryeqytet janë në fazën përfundmtare.

“Për ne jashtëzakonisht është me rëndësi të formohet policia, jo vetëm për kryeqytetin por edhe për banorët si dhe të rritet siguria publike, marrë parasysh edhe rastet e fundit…sipas asaj çka ne e dijmë, shumë shpejtë brenda këtij viti do të bëhet policia e kryeqytetit, por prapë kjo do të jetë përgjegjësi dhe detyrë e policisë me përkrahjen dhe ndihmën e kryeqytetit”, tha Fushtica për rtv21.

Duke pasur parasysh rastet e fundit në kryeqytet, eksperti i sigurisë Burim Ramadani, konsideron se policia e kryeqytetit është më se e nevojshme. Sipas tij, kjo polici do të ishte një hap tutje drejt parandalimit të krimeve dhe parregullsive në Prishtinë.

“Është lajm i mirëpritur funksionalizimi i policisë së kryeqytetit, kjo apsolutisht do të vendoste një mekanizëm të ri brenda policisë qe do të ishtë në shërbim. Deri tash nuk i kam kuptuar vonesat dhe nuk besoj që ka vonesa të cilat mund të arsyetohen por është vullnet politik si dhe angazhim…kryesisht do të ndihmonte komunën e prishtinës në zbatimin e vendimeve, megjithatë është edhe lehtësim i barrës edhe për policinë e Kosovës”, tha Ramadani për rtv21.

Të pasigurtë nga rrethanat në kryeqytet ndihen qytetarët. Ata thonë se rastet e vrasjeve, plaçkitjeve e të tjera po e cenojnë sigurinë e tyre në rrugët e Prishtinës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ditë më parë foli për njësitë e veçanta që do t’i ketë kjo drejtori, nisur nga ajo e trafikut, njësia e veçantë e reagimit të shpejtë, njësia e hetimeve si dhe e planifikimit.