20:38 / E Premte, 01 Tetor 2021 / OSH

Garuesit kosovarë nisen për Portugali, do ta përfaqësojnë Kosovën në garën e disiplinës malore, FIA Hill Climb Masters

Garuesit të cilët do ta përfaqësojnë Kosovën në garat malore janë nisur për në Braga të Portugalisë.

Bardhyl Canolli, Liridon Kalenderi, Gazmend Demolli, Valon Jaha, Faton Rama, Mimoza Jetullahu, Arjeta Rysha, e Selim Tahirsylaj do ta përfaqësojnë Kosovën në garën e disiplinës malore, FIA Hill Climb Masters, e cila do të mbahet më datën 8-10 të muajit tetor.

Bëhet fjalë për garën e nivelit më të lartë botëror në disiplinën malore, e organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), e cila tradicionalisht mbahet në çdo dy vjet, por që në vitin e kaluar nuk u mbajt për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë Covid-19 .

Kjo është hera e dytë që garuesit nga Kosova marrin pjesë në një garë të karakterit të tillë, pasi më parë kanë qenë edhe në Gubbio të Italisë. Në garat FIA Hill Climb Masters janë dy lloje të klasifikimeve, klasifikimi individual i garuesve dhe ai i shteteve.

Katër më të mirët nga secili shtet do ta përfaqësojnë ekipin nacional, ndërsa fituesit e tri vendeve të para shpërblehen me medalje ari, përkatësisht argjendi e bronzi. Ndryshe nga shkuarja në Gubbio, sivjet e veçanta e pjesëmarrjes së Kosovës është edhe prania e dy garueseve femra.