12:42 / E Martë, 22 Nëntor 2022 / B O

Hapat e fundit deri në cak, edhe këto procese duhet t’i kalojë Kosova për lëvizjen e lirë në zonën Shengen

Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se pajtimi u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.

Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë.

Sipas propozimit të miratuar të martën, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

Miratimi i këtij propozimi do të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, që do të mbahet të mërkurën.

Nëse propozimi për heqjen e vizave kalon nesër në rendin e ditës së Ambasadorët e BE-së, atëherë duhet të kalohen edhe disa procese të tjera.

Hapat që duhet të arrihen janë:

Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

Liberalizimi hyn në fuqi.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.