12:29 / E Premte, 30 Gusht 2019 / indeksADMonline

Helmime në Gjilan e Prishtinë, bëhet thirrje për kujdes ndaj ushqimit

Rastet e helmimeve, sidomos në këtë sezon vere janë të shpeshta.

Më shumë se 20 persona, në Gjilan, janë helmuar para disa ditësh nga konsumimi i ushqimit në një prej restorantëve në këtë qytet, transmeton Indeksonline.

Këtë javë ka pasur edhe helmime edhe në Prishtinë.

Prandaj, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, u ka apeluar qytetarëve që të jenë të vëmedshë, duke bërë thirrje për kujdes gjatë gatimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit.

Postimi i plotë:

Qytetarë të nderuar!

Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Jemi në sezonin e verës! Kujdes gjatë gatimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit!

Këtë javë jemi ballafaquar me epideminë me Salmonelën në Gjilan dhe me helmim me ushqim, në Prishtinë.

Qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spitale, të cilët falë përkujdesjes së mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën.

Instituti Kombëtar i bën thirje popullatës:
Kujdes i shtuar ku konsumohet ushqimi
Shmangia e konsumimit të mishit të papërpunuar termikisht
Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, si majoneza, soset e ndryshme, etj
Konsumimi i qumështit të pasterizuar ose të zier
Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi, jo i pasterizuar ose zier
Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm
Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë
Ruajtja e ushqimit të mbetur në frigorifer
Ushqimi i ngrirë, i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet. Nuk duhet të ringrihet
Duart duhet të lahen dhe thahen:
– para se të filloni të përgatisni ushqimin
– pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet
– pas përdorimit të tualetit
– pasi të pastroni hundën
– pasi të prekni një kafshë
– pasi të prekni ndonjë plagë apo prerje në trup.

MOS HANI USHQIM KUDO!
PAKUJDESIA SHKAKTON EPIDEMI ME RREZIK PËR JETÊN E QYTETARËVE!