20:23 / E Premte, 26 Janar 2024 / MSH

Investimet amerikane në Kosovë, Hajdari takohet me zyrtarët e lartë tregtarë nga ShBA-ja

Marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po forcohen edhe përmes mundësive për kompanitë amerikane për investime në Kosovë.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, bashkë me u.d drejtorin e Agjencisë Për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) priti në takim Neil Pickett, zyrtar i lartë tregtar nga Departamenti Amerikan të Tregtisë me seli në Budapest, i shoqëruar nga Micah Savidge, shef i Sektorit Ekonomik dhe Richard Heater, zyrtar për Ekonomi dhe Tregti në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.

Qëllimi i takimit ishte një bashkëbisedim për sjelljen e investimeve amerikane në Kosovë dhe diskutimi i mundësive për kompanitë amerikane në Kosovë.

Ministrja Hajdari e mirëpriti këtë takim duke e cilësuar shumë të frytshëm dhe duke vënë në pah të gjitha reformat e ndërmarra për përmirësimin e ambientit për të bërit biznes në vendin tonë, me theks tek Politika Industriale 2030 me sektorët prodhues në rritje, Ligjet për Investimet e Qëndrueshme, për Parqet Industriale, Gjykatën Komerciale në funksion, si dhe ligje e udhëzime tjera të cilat ofrojnë shumë mundësi dhe lehtësi për investime dhe të bërit biznes në Kosovë.

Ajo poashtu theksoi mundësitë për të shqyrtuar lehtësimin e tregtisë në mes Kosovës dhe SHBA, përmes forcimit të bashkëpunimit me organizim të ngjarjeve ekonomike dhe marrëveshjeve në interes të dy palëve.

Nga ana tjetër Pickett deklaroi se kur marrëdhëniet ndërqeveritare janë të mira, edhe bashkëpunimi ekonomik është më i lehtë, prandaj ky bashkëpunim do të forcohet edhe më shumë përmes investimeve potenciale nga kompanitë amerikane dhe bashkëpunimeve tjera tregtare.

Pickett me përvojë amerikane dhe një bashkëbisedues kyç në sjelljen e investimeve amerikane në Kosovë, u shpreh se është i impresionuar me energjinë pozitive dhe miqësore në vendin tonë gjatë kësaj vizite të tij të parë në Kosovë.