22:33 / E Premte, 01 Qershor 2018 / indeksADMonline

Komision hetimor për fryrjen e listave të veteranëve? – Deklarohet Prokuroria Speciale!

Propozimi për formimin e një komisioni hetimor në Kuvendin e Republikës për fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk po del të jetë seriozë të paktën nga organet e hetuesisë.

Kësisoj, Kryeparlamentari, Kadri Veseli dhe deputeti, Glauk Konjufca u dakorduan për themelimin e komisionit  hetimor për t’i ndihmuar prokurorisë dhe gjykatës , pasi sipas tyre, ka shumë manipulues në rastin në fjalë.

Lidhur me këtë çështje, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku ka folur rreth kësaj nisme të legjislativit.

Ai në një prononcim për “Indeksonline”, ka treguar se në cilën fazë të hetimeve është rasti i fryrjes së listave të veteranëve.

“Rasti për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së është në fazën e hetimeve. Kuvendi i dinë punët e veta ku dyshon se ka vepër penale atëherë mundet kudo. Por, ne nuk varemi prej qëndrimeve të Kuvendit se a themelohet komisioni për hetime apo jo, me rëndësi është se Prokuroria po vazhdon me hetime të mëtutjeshme”, ka thënë Millaku për “Indeksonline”.

Ndryshe, deputeti, Glauk Konjufca tha gjatë debatit parlamentar se sipas raportit të progresit kanë dalë 60 mijë veteranë. Sipas tij, një e treta e tyre të rrejshëm.

Kujtojmë se sot Prokuroria ka ngritur edhe një aktakuzë për deklarim të rrejshëm lidhur me çështjen e statusit të veteranit./Indeksonline/