16:16 / E Shtunë, 05 Janar 2019 / indeksADMonline

Papunësi e lartë vitin e kaluar, me shqetësuese te gjinia femërore

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka prezantuar Anketën e Fuqisë Punëtore për tre mujorin e tretë të vitit 2018. Sipas kësaj ankete del se shkalla e papunësisë në vendin tonë është 30.7 për qind, pra ka shënuar  0.2 për qind rritje më shumë se në vitin 2017.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.8%, krahasuar me meshkujt, 29.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeçare me 55.0%. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42 për qind.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2018 ishte 29.1%. Punësimi me i lartë ishte te meshkujt (45.6%), ndërsa punësimi te femrat ishte 12.6%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1%.

“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2018, shkalla e papunësisë është 30.7%. Fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0 %, me fokus të veçantë te femrat me 80.7 %, krahasuar me meshkujt, 35.3%”, thuhet në komunikatën e ASK-së. Ndërsa, sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 16.8%, ndërtimtaria me 12.3%, arsimi me 11.5%, si dhe prodhimi me 10.5%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim. Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 28.4% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.6% kanë kontratë të përkohshme”, ceket në këtë raport.

Shkalla e papunësisë për vitin 2014 ishte 35,3%, ose 176,743 persona, për vitin 2015 ishte 32,9%, ose 145,776 persona, ndërsa për vitin 2016 ishte 27,5%, ose 126,070 persona, edhe në vitin 2017 shkalla e papunësisë ishte 30,5%, ose 156,583 persona.

Sipas ekonomistit Lulzim Beqiri, qeveria në vend të rritjes së pagave duhet të fokusohet në uljen e papunësisë, e cila ende po vazhdon që të jetë e madhe.

Ai ka thënë për Indeksonline se nëse vazhdohet me këtë trend pritet që gjatë vitit të ardhshëm të ketë edhe më shumë rritje të papunësisë.

“Karakteristikë e veçantë është se në vitin 2017 kemi rritje të papunësisë, për 30,513 persona, pra Qeveria në vend që ti rrisë pagat duhet të fokusohet në uljen e papunësisë, sipas trendëve edhe në vitin 2018 do të ketë rritje të papunësisë”,   është shprehur Beqiri.

Beqiri i ka nënvizuar ryshfetin dhe lidhjet familjare si faktor kyç për të siguruar një vend të punës në Kosovës, duke vë në dukje se këto janë edhe gjetje të UNDP-së.

“Ryshfeti, lidhjet familjare, lidhjet partiake sipas UNDP-së janë faktori kyç për të siguruar një vend pune në sektorin publik, ky fenomen e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta e këtej, asnjë Qeveri nuk e ka luftuar këtë të keqe, andaj edhe ka marr përmasa shqetësuese një praktikë e tillë”, ka thënë ai.

Kurse, për këtë gjendje Beqiri po konsideron se fajtorët kryesor janë nepotizmi dhe keqpërdorimi i pozitës për të punësuar familjarët në konkurse pune.

“Janë qindra mijëra konkurse të kurdisura, punësojnë dajallarë, nipa, mbesa, kushërinj, tezakë, por ama shumica  pa meritë, thjesht ky fenomen ka shtri rrënje, nuk ke mundësi me u punësua në Kosovë nëse nuk ke dikë, apo nuk jep para, nuk ka institucion në vend që nuk është prek nga ky fenomen çoroditës”, ka thënë Beiqri.

Ai konsideron se Republika e Kosovës njërën nga sfidat kryesore që ka është edhe papunësia, ani pse sipas tij opinioni publik po manipulohet nga statistika që nuk përkojnë më realitetin sa i përket numrit të të punësuarave.

“Republika e Kosovës po ballafaqohet me shumë sfida, e në mesin e sfidave kryesore është edhe papunësia, mirëpo opinioni publik po manipulohet nga statistika që nuk përkojnë me realitetin, statistika që opinionit po i ofrohen janë statistika që janë të porositura nga politikan që të paraqiten sa më mirë para qytetarëve dhe votuesve të vet, mirëpo nëse analizojmë drejt situatën papunësia ka mbet ende e lartë si pasoj e politikave jo të duhura ekonomike nga të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr Republikën e Kosovës tash e 19 vite” ka përfunduar Beqiri./Indeksonline/