20:26 / E Mërkurë, 27 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Paraburgimi ndaj Kurtit e Kadaj-Bujupit, avokatët shpresojnë në lirimin e tyre pasnesër

Deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi i është vazhduar sot masa e paraburgimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar sot se është marrë vendimi që të dy të akuzuarve t’iu vazhdohet masa e paraburgimit deri më 27 janar 2018.

Këtë vendim, avokatja e Kurtit, Hedije Ademi e ka vlerësuar si një aktvendim të padrejtë.

“Është aktvendim jo i drejt, vërtetim i gabuar i gjendjes faktike. Nuk ka arsye ligjore të vazhdohet paraburgimi”, ka thënë Ademi në një prononcim për Indeksonine.

Kështu, brenda afatit ligjor prej 24 orësh, avokatja ka paralajmëruar parashtrim të ankesës.

Ndërsa, ajo ka shtuar se më 29 dhjetor kur edhe do mbahet seanca gjyqësore shpreson se klienti i tij do lirohet.

“Më 29 është fjala përfundimtare. Shpresoj që do të lirohen sepse nuk kanë më bazë të qëndrojnë në masën e paraburgimit”, ka shtuar ajo.

Kurse, avokati i Kadaj-Bujupit, Afrim Salihu tashmë vetëm se ka parashtruar ankesën kundër vazhdimit të paraburgimit.

Sipas tij, aktvendimi Gjykatës Themelore në Prishtinë shkalla e parë, është në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike dhe në disproporcion të plotë me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

Në këtë mënyrë, ai ka propozuar që aktvendimi ankimor të ndryshohet dhe ndaj të mbrojturës së tij, Kadaj-Bujupit të ndërpritet masa e paraburgimit./Indeksonline/