13:59 / E Diele, 21 Janar 2024 / Gj. Sh

“Pushteti dhe Intelektualët” libri që zbulon profilin e Ibrahim Rugovës

Në 18 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, është promovuar libri “Pushteti dhe Intelektualët”, ku u tha se janë përmbledhur intervistat e viteve 1969-2005, e ku zbulohet profili i Rugovës si intelektual, mendimtar i madh dhe atdhetar.

Libri është promovuar nga Fondacioni “Ibrahim Rugova”, fondacion ky të cilin e lavdëroi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas tij, ky libër zbulon profilin e tij prej një intelektuali dhe atdhetari të madh, se si nga Parisi sillte në Prishtinë, idetë pluraliste e demokratike.
Profesori dhe studiuesi, Muhamet Hamiti tha se libri përmbledh intervistat e viteve 1969-2005, por mbizotërojnë vitet e 70-ta dhe 80-ta, sepse ka qenë një veprimtari intensive.

Ndërkaq, profesori Ndue Ukaj tha se libri paraqet intelektualin nëpër faza të ndryshme si lexues, studiues e nismëtar të ideve letrare, kulturore dhe shoqërore.

Ish-Presidenti Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.