18:31 / E Hënë, 02 Mars 2020 / indeksADMonline

Shantazhi…

Shkruan: Feim Tahirsylaj

Saktësisht, sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala shantazh do të thotë shtrëngim që i bëhet dikujt për të plotësuar një kërkesë të papranueshme prej tij, duke e kërcënuar se do të zbulohet një e fshehtë që e dëmton, se do të rrezikohet ai vetë a një i afërm i tij etj.; frikësim që i bëhet dikujt për ta mposhtur, për ta përkulur dhe për ta detyruar të veprojë në dobi të një tjetri.

Së këtejmi, nëse kthehemi në retrospektivë, shohim sesi janë përdorur mjete të llojllojshme shantazhi kundrejt Kosovës përgjatë rrugës së saj shtetëformuese.

Lë t’i kthehemi zanafillës. Në Rambuje, delegacioni i Kosovës ishte shantazhuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë me kushtëzimin kërcënues: o nënshkruani, o nuk e bombardojmë Serbinë!
Atëbotë e pata lexuar shkronjë për shkronjë marrëveshjen e imponuar nga të fortët brenda murëve të Kështjellës mesjetare. Ishte tejet e dëmshme për Kosovën dhe aspiratat e popullit të saj. Në fakt, ishte edhe më pak se autonomia e ’74-s. Por, për fatin tonë të mirë, Serbia e refuzoi dhe Kosova shpëtoi nga përligjja ndërkombëtare e aneksimit përmes gjenocidit serb. Të tjerat dihen…

Vijmë te kompromisi Ahtisari. Për disa muaj, nën autorizimin e OKB-së, u zhvilluan bisedime rreth një planmarrëveshjeje themeltare, që do të ishte kusht i pakapërcyeshëm për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Edhepse drafti përfundimtar, i quajtur Plani Ahtisari, e gjymtonte Kosovën dhe atë e bënte një shtet jofunksional e diskriminues ndaj shumicës absolute shqiptare (multietniciteti farsë, përfaqësimi pa votë i pakicave, vota e dyfishtë e pakicës serbe, fshatrat serbe komuna, eksteritorialiteti i manastireve ortodokse etj.), delegacioni kosovar u detyrua ta pranoi në këmbim të pavarësisë dhe pranimit të saj në OKB. Serbia dhe Rusia, si palë negociuse, refuzuan ta nënshkruajnë këtë plan në përmbyllje të procesit negociator. Shkaku i refuzimit të tyre, edhe OKB-ja nuk e miratoi Planin e Ahtisarit (i deleguar nga vetë shtëpia e kombeve). Edhe këtë herë, presioni ndërkombëtar peshonte vetëm mbi kurrizin e shtetit të ri në lindje: o pranojeni këtë plan, o nuk ua njohim shtetin! Por çfarë fituam ne: një gjysmështet me një gjysmëpavarësi të mbikëqyrur dhe të papranuar në OKB. Ndërkohë që Serbia, e pandëshkuar, vazhdon edhe sot agresionin ndaj Kosovës, pikërisht përmes vrimave të Planit Ahtisari. E, ndërsa, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të jetë e heshtur kundrejt Serbisë. Prandaj, nga perspektiva e sotme, lirisht mund të konstatojmë se ishte gabim i madh strategjik pranimi i Planit të Ahtisarit, pas refuzimit nga Serbia!

Për të mos u mjaftuar me kaq, shantazhi i bashkësisë ndërkombëtare karshi Kosovës ka vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë, madje në forma edhe më të egra. Nuk ka sesi të shjegohet ndryshe as marrëveshja për Zajednicën dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi. E para u kushtëzua me pjesën veriore të Kosovës, ndërsa e dyta me liberalizimin e vizave. Derisa Zajednica fle në sirtar si një virus i fjetur falë një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Demarkacioni u votua në saje të komplotit dhe trysnisë së paparë mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës. Rezultati: Kosova u shkurtua për 8200 hektarë, por liberalizimi i vizave nuk ndodhi sot e asaj dite!

Shembull tjetër shqetësues i përdorimit të mjeteve shantazhuese për arritjen e qëllimeve të caktuara politike, gjithsesi mbetet themelimi i detyrueshëm i Gjykatës Speciale monoetnike, kinse për të gjykuar krimet e pretenduara të ushtarëve të UÇK-së. Ideja për themelimin e saj u ndërtua mbi një raport të shpifur nga Dick Marty, ndërsa iniciativa ishte e Serbisë dhe Rusisë. Qëllimi mbetet i qartë: viktimës së gjenocidit serb t’i atribuohet etiketa e xhelatit!

Në listën e shantazheve të pareshtura kundrejt Kosovës numërohen edhe decentralizimi, fusnota, kushtëzimi i lëvizjes së FSK-së, e deri te kërkesa e heqjes pa kushte të tarifës ndaj mallrave serbe.

Shtrohet pyetja: pse gjithë ky presion e shantazh i bashkësisë ndërkombëtare kundrejt një shteti të vogël dhe ende të pakonsoliduar, të keqqeverisur për dy dekada, të varfër, të pafuqishëm politikisht e ushtarakisht?

Sadoqë i kam thirrur në ndihmë logjikës, nuk kam mundur t’i jap përgjigje të arsyeshme kësaj pyetjeje. Prandaj, hamendësimin tim, po e përmbyll me thënien e shkrimtarit amerikan, Mark Tuein: sa më shumë paguan, aq më shumë të kërkojnë!

Dhe, krejt në fund, porosia: Kosovën e keni mbështetur për muri – s’ka ku shkon më tutje!