08:48 / E Premte, 06 Shtator 2019 / indeksADMonline

Sinuset, shkaktar i dhimbjes së kokës

Sinuset paranazal janë kavitete të veshura me mukozë që gjenden në brendësi të kockave rreth hundës. Kur këto kavitete enjten ose irritohen për pasojë krijohet infeksion i quajtur sinuzit. Zakonisht keto infeksione shfaqen pas gripit ose pas alergjive.

Shkaqet
Këto kavitete jane katër çifte, të vendosura në brendësi të kockave maksilo-faciale dhe që vishen nga e njëjta mukozë që vesh dhe kavitetin e hundës. Kur preken nga gripi ose alergjitë, kjo mukozë enjtet dhe prodhohet një sasi më e madhe mukusi, njëlloj si sekrecionet e hundës. Sistemi i kullimit të sinuseve mund të bllokohet kështu që mukusi mund të ngelet i bllokuar në brendësi të kaviteteve. E gjitha kjo çon në kushte të favorshme për zhvillim të viruseve, baktereve e mykut që provokon shfaqjen e sinuzitit.

Simptomat

Sinuziti mund të shfaqë simptoma të ndryshme në varesi të moshës:
•Fëmijët e vegjël kanë simptoma të ngjashme me ato të gripit si psh, hundë të bllokuara, sekrecione, temperaturë të lehtë, dhimbje koke etj. Nëse fëmija juaj fillon të ketë ethe 5 ose 7 ditë pas shfaqjes së simptomave të gripit, kjo mund të jetë një shënjë e sinuzitit.
•Tek fëmijët më të rritur shenjat më të shpeshta janë: kolla e thatë gjatë ditës, temperaturë, bllokim hundësh, dhimbje dhëmbësh, dhimbje veshësh etj.
•Të rriturit kanë dhimbje dhe ndienjë presioni në fytyrë në zona të ndryshme, dhimbje koke, temperaturë, rrjedhje hundësh, kollë me sekrecione, dhimbje dhëmbësh.
Diagnoza vendoset me anën e kryerjes së radiografisë së kokës ose skaner.

Mjekët mund të përshkruajnë antibiotikë në sinuzitet më origjinë bakteriale. Mjekimi duhet i zgjatur rreth 14 ditë, ose kur flitet për sinuzit kronik duhen përdorur deri sa simptomat të jenë zhdukur prej të pakten 7 ditësh. Ndërkohë mund të përdoren dekongjestionant dhe antihistaminik për të ulur simptomat.
Ndërsa rastet e provokuara nga viruset zakonisht largohen vetë pa përdorur ndonjë terapi.