10:15 / E Martë, 16 Mars 2021 / Blerim

Tusha ftohet për herë të parë te U21-shat: Tejet i lumtur, shpresoj që do të jap më të mirën

Veton Tusha është sulmuesi i ri që është ftuar në ekipin kombëtar të U21-shat e Kosovës.

Futbollisti kaçanikas që firmosi me ekipin nga Superliga e Turqisë, Denizlispor po kalon në formë të mirë. Kjo i ka “rënë” në sy edhe trajnerit të Kombëtares së Kosovës në grupmoshat U21, Michael Nees, shkruan IndeksOnline

Nees e ka ftuar Tushën për dy ndeshjet miqësore ndaj Kombëtares së Katarit, takime këto që zhvillohen në Doha më 26 dhe 29 mars.

Gjatë një interviste për IndeksOnlinen, Tusha shprehet shumë i lumtur që do të luajë për herë të parë për U21-shat, pasi më parë ka qenë pjesë e U19.

“Ndihem shumë i privilegjuar që do ta bartë fanellën e Kombëtares së Kosovës. Besoj që do të kemi sukses me grupin, kurse unë shpresoj se do të jap më të mirën time”, ka thënë Tusha

U përmend shumë nga disa klube evrpiane që mund t’i bllokojnë disa lojtarë për shkak të situatës pandemike. Tusha tregon se a do të ketë ndonjë pengesë nga klubi për shkak të Covidit-19?

“Jo, nuk e besoj. Shpresoj që jo!”

Sulmuesi i talentuar pati një fillim të mbarë tek ekipi turk. Ai debutoi me gol qysh në ndeshjen e parë dhe ndaj një skuadre të madhe siç ishte Galatasaray. Tusha mungoi disa ditë, shkaku i një lëndimi, por tani është rikthyer dhe vazhdon të shkëlqejë.

“Te skuadra po kaloj në një formë të mirë. E kam pasur një lëndim goxha të madh, por tani jam shumë mirë”, përfundoi për IndeksOnline, Veton Tusha.

Kujtojmë se te Kosova U21 katër sulmuesit e ftuar, janë: Rilind Nivokazi (Calcio Foggia), Arian Kastrati (Fortuna Sittard), Mark Markelu (SC Kriens) dhe Veton Tusha (Denizlispor)./IndeksOnline/