13:53 / E Hënë, 18 Prill 2022 / LB

Vëllait të dëshmorit Sali Çekaj ia vjedhin llogarinë e ‘Facebook’-ut dhe ia marrin 4 mijë euro të afërmve

Smajl Çekaj është vëllai i komandantit dëshmor nga Kosova, Sali Çekaj. Ai ka rënë pre e një sulmi kibernetik, pasi dikush i ka vjedhur llogarinë në “Facebook”. Madje, u ka shkruar disa personave të afërt, duke u thënë se është i shtruar në spital për shkak të Covid-19 dhe i duhen para.

Për televizionin ABCNews, Çekaj ka treguar si ndodhi e gjithë ngjarja dhe se ka bërë një denoncim në polici.

“Sikur unë i kam shkruar njerëzve që jam në Shqipëri dhe jam me koronavirus. I pari që më mori në telefon, më tha ku je, në shtëpi ku të jem i thash. Po ti më shkrove dhe më kërkove lekë. Ndërkohë, unë para disa orësh isha në kafe me të”.

“I kanë kërkuar lekë 4 personave dhe i kanë shkruar. Nuk e di se kush fshihet pas kësaj, denoncim kam bërë por jo me emër se nuk e kam idenë. Por mendoj se dikush që më njeh mirë dhe sidomos mua që e dinë që jam vëllai i heroit Sali Çekaj dhe e dinë që më ndihmojnë”

“Çdo herë është deklaruar që unë jam i shtruar në spital dhe nuk kam mundësinë të shkoj t’i marr, por do shkoj një person, mik i imi, Mark Alia, të shkojë t’i marr. Po unë nuk e njoh këtë emër, nuk e di a ekziston a jo. Unë e kam bërë denoncimin edhe këtu në Gjermani”, rrëfeu Çekaj.