23:45 / E Mërkurë, 24 Janar 2018 / indeksADMonline

Terminet në Qendrat e Mjekësisë, flet drejtori për shëndetësi në Prishtinë

Në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka filluar një procedurë e re e kontrollave mjekësore, ku qytetarët të cilët kërkojnë të marrin shërbime u duhet fillimisht të bëjnë termin. E kjo ka nxitur pakënaqësi tek qytetarët të cilët këtë formë të re të vizitave mjekësore nuk po e pëlqejnë.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia për Indeksonline ka sqaruar se bërja e termineve për kontroll është pjesë e  një pilot-projekti që është në kuadër të Ligjit të Shëndetësisë.

Sipas tij, kjo po bëhet me qëllim ofrimin sa më cilësor të shërbimeve në mënyrë cilësore.

“Ky është pilot-projekt që po evaluohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pas tre muajve një grup punues i formuar nga QKMF, do të dal me rekomandime se si do të vazhdohet. Këtu do të merren parasysh të gjithë faktorët në terren duke përfshirë ankesat dhe sugjerimet edhe nga qytetarët. E gjithë kjo është në kuadër të ofrimit sa më cilësor të shërbimeve në mënyrë që pas implementimit të plotë të këtij projekti (që mund të zgjasë edhe me muaj), secili pacient do të ketë një trajtim korrekt me kohë të mjaftueshme për ekzaminim dhe eliminimin e radhëve të pritjes për ta. Praktikë kjo në të gjitha vendet e zhvilluara për lehtësimin e marrjes së shërbimeve cilësore për qytetarët”, ka thënë Vitia për Indeksonline.

Ai ka shtuar se kur rastet janë emergjente, aplikimet për termin nuk vlejnë, pasi jepet menjëherë shërbimi shëndetësor.

“Natyrisht se jo. Është obligim ligjor që secili rast urgjent ngado qoftë dhe sido qoftë t’i jepet shërbimi shëndetësor. Por për ta përsëritur edhe njëherë, në këtë rast asnjë pacient nuk kthehet pa shërbim qoftë ai rast urgjent apo jo”, ka shtuar Vitia.

Ai ka thënë se asnjë pacient nuk kthehet pa marr shërbimin mjekësor.

“Termini bëhet për vizitat kontrolluese por edhe për ata pacientë që dëshirojnë të mos presin në radhë në rastet kur sëmundja e tyre nuk është akute dhe nuk janë raste urgjente. Asnjë rast urgjent (por edhe jo urgjent) nuk do të kthehet pa marr shërbimin në çdo QMF dhe AMF”, është shprehur Vitia./Indeksonline/