23:28 / E Mërkurë, 17 Janar 2018 / indeksADMonline

Thaçi e Vuçiq flasin por nuk kanë ‘njohje reciproke’ të posteve

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë kalojnë kohë në biseda me apo pa ndërmjetësues, por kanë edhe më tej një problem: njohjen reciproke të posteve që mbajnë.

Pas bisedës së sotme telefonike, që të dy kanë lëshuar komunikata për shtyp, por që në fjalinë e parë të të dyja komunikatave vërehen dallime të dukshme në referim.

Thaçi i referohet Vuçiqit me pozitën që e mban, President i Serbisë, por ky i fundit i referohet Thaçit si “president i institucioneve të përkohshme të Prishtinës”, si relikt i kohës kur institucionet e Kosovës ishin nën administrim të OKB-së, para shpalljes së pavarësisë.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq”, thuhet në komunikatën presidencës në Kosovë.

“Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq bisedoi sonte në telefon me presidentin e institucioneve të përkohshme të Prishtinës Hashim Thaçin”, thuhet në komunikatën e presidencës në Serbi.

Në paragrafin e dytë të njoftimit të zyrës së Thaçit, thuhet “të dy Presidentët…”, ndërsa në njoftimin e zyrës së Vuçiq thuhet “të dy bashkëbiseduesit”.

“Të dy presidentët kanë trajtuar çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, forcimin e paqes në rajon dhe perspektivën e integrimeve euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

“Dy bashkëbiseduesit u pajtuan që dialogu mes serbëve dhe shqiptarëve si dhe puna e përbashkët për qetësimin dhe stabilizimin e zhvillimeve në Kosovë e Metohi janë të rëndësisë kyçe për të dy palët”, thuhet në komunikatën e Presidentit të Serbisë.

Tutje në komunikatat e ndara thuhet se Thaçi e Vuçiq kanë folur edhe për vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.

“Një çështje e veçantë për të cilën kanë diskutuar dy presidentët ka qenë edhe vrasja e djeshme e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq. Presidenti Thaçi e ka siguruar presidentin Vuçiq se organet përgjegjëse të prokurorisë dhe policisë janë duke bërë hetime intensive për zbulimin dhe sjelljen përpara drejtësisë të atyre që e kanë bërë këtë vrasje”, thuhet në njoftimin e Kosovës.

“Gjithashtu Vuçiq e Thaçi biseduan edhe në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe bashkërisht shfaqën keqardhje dhe u pajtuan që zbulimi dhe dërgimi para drejtësisë i kryerësit të këtij krimi të tmerrshëm është me rëndësi kyçe për ruajtje të paqes dhe besimit mes njerëzve”, thuhet në njoftimin e Serbisë.

Por mbetet e paqartë se çfarë undësie bashkëpunimi për hetim mund të gjejnë Kosova e Serbia përderisa prokuroritë e shteteve respektive nuk e njohin njëra tjetrën dhe deri më tani nuk kanë bashkëpunuar në asnjë rast, përfshirë edhe rastet e krimeve të luftës.

E i vetmi referim i njejtë në këto dy komunikata të ndryshme, është pjesa kur flitet në vetën e parë për secilin nga Presidentët.

“Presidenti Thaçi, po ashtu, ka theksuar se organet kompetente të Republikës së Kosovës janë të gatshme që në përputhje me legjislacionin në fuqi të bashkëpunojnë dhe të pranojnë çfarëdo ndihme, e cila mund të çojë drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje”, njofton zyra e Thacit.

“Presidenti Vuçiq edhe një herë kërkoi nga Thaçi që të pranohet përfshirja e autoriteteve shtetërore serbe në kryerjen e hetimit për vrasjen e Ivanoviqit në mënyrë që ky krim i neveritshëm në afat sa më të shkurtër të zgjidhet”, njofton zyra e Vuçicit.

Temat: