15:57 / E Shtunë, 13 Janar 2018 / indeksADMonline

Thaçi kërkon propozime për personalitete që meritojnë Medalje në Dhjetëvjetorin e Pavarësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore do të nderojë personalitete të ndryshme me Medaljen Presidenciale Jubilare për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

Duke pasur personalitete të shumta, si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, që kanë kontribuar për pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë gjatë dekadës së parë të pavarësisë, presidenti Thaçi i fton institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët, që të kontribuojnë me propozimet e tyre për personalitetet që vlerësojnë se duhet të dekorohen me këtë medalje.

”Të gjithë ata që duan të kontribuojnë me propozime, luten që ato t’i arsyetojnë dhe dërgojnë në adresën e Komisionit Vlerësues për Dekorata: dekoratat@president-ksgov.net;”, thuhet në kërkësën e presidentit. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Medaljen Presidenciale Jubilare për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë do ta ndajë gjatë tërë këtij viti.