15:40 / E Diele, 18 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Kosova e ka të qartë vizionin e saj për të ardhmen

Ka nisur programi i pritjes shtetërore nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Të pranishëm në këtë pritje janë figurat e larta politike dhe udhëheqëse të Kosovës, të vendeve fqinje dhe atyre të huaja.

Me këtë rast, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka falënderuar të gjithë që kanë ardhur për të festuar këtë 10 vjetor të shtetit të Kosovës.

“Jemi të gëzuar që po shënojmë këtë përvjetor së bashku duke gëzuar të arriturat dhe duke konfirmuar se qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin për vlerat tona të përbashkëta, për liri , barazi, shoqëri multietnike, tolerancë, bashkëpunim dhe dialog por edhe duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan që të arrijmë këtu. Para se gjithash  SHBA, NATO dhe Bashkimi Evropian. Përkujtojmë se ku ishim para 20 viteve, para 10 viteve dhe të shohim se ku jemi tani, jemi çdo arsye që të jemi krenar dhe së bashku. Të gjithë e mbajnë mend periudhën e kaluar dhe sakrificat tona, duke përkujtuar ndërkombëtarët që na ndihmuan që të jemi të lirë, për këtë do t’u jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka thënë Thaçi, shkruan Indeksonline.

“Që nga përfundimi i luftës kemi punuar që të ndërtojmë paqen, ata që e lexojnë sot Deklaratën e Pavarësisë e kuptojnë se asgjë nga përpjekjet nuk ishte e njëanshme. Negociatat e udhëhequra nga Marti Ahtisari, ishin të thella dhe shteruese, NATO dhe BE, SHBA dhe aleatët e tjerë punuan së bashku për të gjetur zgjidhjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm. Kjo zgjidhje ishte pavarësia e Kosovës dhe dekada jonë si shtet e ka dëshmuar këtë. Po i vlerësojmë këto 10 vite të shohim se jemi shteti që ka rritjen më të madhe. Jemi vend që garanton të drejtat për të gjitha komunitetet me Kushtetutë, në Olimpiadë fituam Medaljen e Artë, jemi fuqizuar si vend nga jashtë dhe brenda. Konfirmomimi më i mirë për suksesin e reformave  tona është marrëveshja për stabilizim asocim dhe bashkëpunim evropian, kjo tregon se kemi ecur me hapa të mirë të qëndrueshëm edhe në drejtësi”,ka shtuar Thaçi.

Gjithashtu Thaçi ka thënë se Kosova, shtet i pavarur dhe sovran e ka të qartë vizionin e saj për të ardhmen.

“Do të bëhemi pjesë e BE-së, NATO-s dhe ky vizion i yni nuk ka alternativë dhe do të arrijmë ta bëjmë realitet. Kemi dhe sfida para nesh por këto sfida i kemi të njëjta si të gjitha shtetet e rajonit, zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës dhe fuqizimi i ligjit.Së bashku me miqtë tanë jemi të sigurt se do t’ia dalim edhe me përballjen e këtyre obligime dhe do të ecim të sigurt drejtë realizimit të ëndrrës tjetër, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, prandaj sot të festojmë e të gëzohemi për të arriturat. Por edhe të mendojmë dhe të punojmë për arritjen e  aspiratave tona”, ka përfunduar Thaçi./Indeksonline/