11:15 / E Premte, 18 Maj 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Kosova e kupton qëndrimin e Spanjës, e ka mike atë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se e kupton qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës, ndonëse ia ka përkujtuar shtetit spanjoll që Kosova nuk ka asgjë të përbashkët me Katalonjën.

“Prishtina e kupton vendimin e kryeministrit të Spanjës, Mariano Rajoy, për të mos u bërë pjesë e Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje. Natyrisht, në asnjë rrethanë nuk mund të tërhiqen paralele mes neve dhe Spanjës, sikurse që Kosova nuk është si Katalonja”, ka thënë Thaçi për euroactiv.com, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, Kosova pavarësisht zhvillimeve, ka “ndjenja miqësore” ndaj Spanjës.

“Ne e respektojmë traditën demokratike në shtetin e Spanjës dhe gjithashtu integritetin e saj territorial. Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e çështjes së Spanjës dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë shtete mike. Shpejt ose vonë ne të gjithë do të jemi anëtarë të një familjeje të madhe, në BE”, ka thënë tutje Thaçi.

Kujtojmë se më 23 mars kryeministri spanjoll njoftoi homologun e tij bullgar, Boyko Borissov se ai nuk do të marrë pjesë në Samitin e Sofjes pasi nuk dëshiron që të ulët në tavolinën e njëjtë me Kosovën.

Megjithatë, Rajoy mori pjesë në një darkë informale në Sofje një ditë para se aty të arrijnë liderët evropianë për të dërguar mesazhin se ai nuk do të ofendojë nikoqirët bullgarë.

“Ne kemi një çështje të rëndësishme. Bisedimet e zgjeruara me shtete që nuk i kanë njohur përfshirë këtu edhe Spanjen. Kjo na krijon neve pak shqetësim”, kishte thënë kryeministri i Spanjës.