16:37 / E Mërkurë, 18 Korrik 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Lajmi për vizat nuk ishte dhuratë, por meritë (Video)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mban një konferencë të përbashkët me Komisionerin i BE-për për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, për të publikuar raportin e KE-së për liberalizim të vizave.

I pari i shtetit ka thënë para mediave se rekomandimi i sotëm nuk është dhuratë për Kosovën, por është meritë për të cilën është punuar, raporotn Indeksonline.

Më poshtë pjesë nga fjalimi i Thaçit:

Në emër tim dhe delegacionit, shpreh falënderim për Avramopoulos për mirëpritjen dhe takimin e shkëlqyeshëm. Jam i lumtur që jemi bashkë në këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës.

Vendimi i sotëm i KE-së për të shpallur të përmbushur kriterin e fundit, është ndër lajmet më të mira që kanë pritur qytetarët e Kosovës me dekada. Kjo përbën një moment historik dhe një njohje të përpjekjeve shumëvjeçare për të integruar Kosovën në zemrën e Evropës.

Komisioner, ju shpreh falënderim për mbështetjen tuaj në kilometrat tona të fundit që kanë qenë shumë të gjata dhe të rënda. Por bashkë kemi arritur në një cak shumë të rëndësishëm dhe besoj se shpejt do të vije momenti kur qytetarët do të lëvizin lirshëm.

Liberalizimi është shumë domethënës deri në anëtarësimin tonë në BE.

Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit tonë për në BE, sot është fituese Kosova dhe Bashkimi Evropian.

Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe sot me tërë kuptimin e fjalës kemi pajtim të plotë me Komisionin Evropian.

Kjo nuk ka qenë një dhuratë, por meritë dhe mirënjohje e punës së vështirë që kemi bërë së bashku.

Falënderoj secilin nga delegacioni që ka qenë këtu me ne, të gjithë spektrin politik, shoqërinë civile, qeveritë e kaluara, gjykatat për kontribut, etj.

Vetëm të bashkuar kemi arritur këtë objektiv dhe të bashkuar do të arrijmë edhe objektiva tjera të rëndësishme.

Kjo do të lehtësoj lëvizjen e lirë të njerëzve por do të ndihmoj edhe në lëvizjen e lirë të mallrave.

Vendimi i sotëm do të jetë shtesë për punën e mëtutjeshme në të gjitha fushat, përfshirë edhe sundimin e ligjit.

Është më se evidente që Kosova si vend aspirues, është edhe partner i BE-së në adresimin e të gjitha sfidave të përbashkëta, sigurisë, migrimit etj.,

Institucionet tona do të vazhdojnë të punojnë akoma që të dëshmojmë që kemi bërë progres.

Ju falënderoj personalisht juve për angazhimin madhor në këtë drejtim.

Kjo do të ketë ndikim edhe në procesin e dialogut, i cili është një proces jo i lehtë, shumë i vështirë, por i nevojshëm dhe i domosdoshëm për normalizim të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë me Serbinë. /Indeksonline/

Temat: