10:25 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Thaçi për vizat: I kemi plotësuar të gjitha kushtet! (Video)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Këtu ai ka treguar se Kosova në 10 vitet e fundit është përballur me shumë sfida, por që dukshëm është duke u luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Presidenti ka thënë se Kosova ka miratuar kushtetutën më moderne, e cila parandalon dhe sanksionon aktet ndaj korrupsionit.

“Kosova ka marr një sërë veprimesh për zbatimin rendit kushtetues. Kemi miratuar legjislacion përkatës për këtë fushë. Kosova gjatë 10 viteve ka pasur sfidë në zbatimin e ligjit. Hapat që duhet të ndërmarrim për luftimin e korrupsionit është proces i filluar nga Ministria e Drejtësisë. Ky proces që ka për qëllim infrastrukturën ligjore, do të ketë mbështetjen time. Ne kemi miratuar kushtetutën më moderne, që parandalojnë dhe sanksionojnë akte ndaj korrupsionit. Është rrit numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe është rrit buxheti për luftimin krimit. Ndër ligjet më të rëndësishme janë kodi penal, kodi i procedurës penale, ligji për gjykatat, për këshillin gjyqësor, për policinë, për agjensionin kundër korrupsionit, ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të vendit”, ka shtuar ai.

Thaçi ka treguar se me kalimin e kohës është parë e nevojshme ndryshimi dhe plotësimi i disa ligjeve, ndërkaq në luftën kundër korrupsionit është shënuar progres, por që duhet ende punë dhe profesionalizëm.

“Disa prej ligjeve janë ndryshuar e plotësuar si nevojë e kohës, me qëllim të forcimit të ligjit. Konsideroj se kemi progres në luftë kundër krimit të organizuar, por duhet të punohet edhe më me shumë profesionalizëm. Ne e dimë se lufta kundër krimit e korrupsionit nuk është e lehtë por duhet të ecim përpara”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërkaq, sa i përket liberalizimit të vizave, presidenti ka theksuar se me kalimin e demarkacionit, Kosova ka përmbushur 95 kushtet e caktuara.

“Kemi përmbushur kriterin e fundit për liberalizimin e vizave, prej 95 kritereve të parashtruara, me kalimin e demarkacionit është konkludim i përbashkët se Kosova ka përmbushur 95 kriteret që janë dashur për liberalizim”, ka theksuar Thaçi./Indeksonline/