16:45 / E Hënë, 09 Tetor 2017 / indeksADMonline

Trajanovski kërkon besimin e shqiptarëve për Shkupin

Kryetari aktual i Shkupit i cili po kandidon edhe për një mandat tjetër Koce Trajanovski, në Info Lokale në Klan Kosova, ka shpjeguar se pse ka vendosur që të kandidojë edhe njëherë për kryetar të qytetit të Shkupit, njofton Klan Kosova.

“Vendosa që të jem edhe njëherë si kryetar i Shkupit, sepse deri tani kam qenë dy mandate në krye të qytetit, mendoj se kam realizuar një numër të madh projektesh të cilat përmirësuan kushtet e jetesës së qytetarëve në të gjitha komunat e qytetit të Shkupit pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, politike apo fetare, prandaj mendoj se do të kem mundësinë për të kërkuar edhe një mandat dhe veçanërisht kam një program që në katër vitet e ardhshme do të mundësojë të realizohen shumë projekte të cilat do të jenë në interes të qytetarëve, ata e dinë kush jam dhe çfarë personi jam”.

“Jam person që punon shumë që nuk merret me politikë të lartë, unë e dua Shkupin dhe punoj shumë për të, me dëshirë dhe vullnet të madh. Komunikoj me të gjithë qytetarët pavarësisht nëse janë shqiptar maqedonas turq, serb, romë, të cilët janë pjesë e Shkupit të gjithë ata më kanë dhënë besimin, është një obligim i imi që të zgjidh problemet e tyre.

“Jam kryetari i parë i Shkupit i cili në një komunë shqiptare atë të Sarajit ka mbajtur takime, dy herë në vit, nga viti 2009 e këtej, në të gjitha bashkësitë vendore, në fshatrat e komunës së Sarajit. Dëgjoj problemet e qytetarëve dhe së bashku me kryetarin e kësaj komune bëjmë përpjekje për të ndihmuar të gjithë njerëzit”.

“S’mund të përqendrohemi vetëm në një komunë, sepse shqiptarët jetojnë në të gjithë territorin e Shkupit. Unë merrem me problemet lokale në 8 vitet e kaluara, shqiptarët kishin mjaft mundësi të shikojnë se kush jam unë, dhe si sillem si punoj për të mirën e tyre, duke përfshirë këtu edhe banorët shqiptar në qytetin e Shkupit”.