16:51 / E Mërkurë, 29 Gusht 2018 / indeksADMonline

Trend pozitiv i turistëve kosovarë në Shqipëri

Vitin e kaluar hynë në Shqipëri 1.7 milion turistë kosovarë, ndërkohë që për këtë vit pritet të kemi të njëjtat shifra me një trend më pozitiv.

Kështu deklaroi sot, në një intervistë televizive, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili hodhi poshtë aludimet për uljen e numrit të turistëve kosovarë në Shqipëri, duke sjellë si argument bindës shifrat e sistemit TIMS në kufi.

“Po të gjykosh me rritjen dhe numrin e shtetasve kosovarë të hyrë në kufi, ai është i vetmi indikator, por më besniku, sepse e nxjerr sistemi TIMS dhe numri i shtetasve kosovarë të hyrë në Shqipëri gjatë gushtit ka qenë shumë pozitiv”, tha Klosi.

“Ndryshimi i ofertës turistike dhe hapja e saj në gjithë bregdetin e Shqipërisë ka bërë që turistët kosovarë tani t’i gjejmë nga Velipoja deri në skajin më jugor të bregdetit shqiptar. Nuk është më zona e Durrësit, kryeqyteti i turizmit kosovar”, shtoi ai.