15:29 / E Martë, 19 Qershor 2018 / indeksADMonline

Tryeza e ftuar nga PSD, VV dhe LDK s’pajtohen me temën

Partia Social Demokrate (PSD) është ajo e cila i ka ftuar të gjitha partitë politike, në tryezën e radhës, e cila do të mbahet nesër.

Por temë diskutimi në këtë tryezë do të jetë dialogu me Serbinë dhe jo zgjedhjet e jashtëzakonshme, temë kjo me për të cilën edhe janë iniciuar këto tryeza nga LDK-ja.

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu  ka shpjeguar se tema e cila do të diskutohen në tryezën e nesërme është ajo e dialogut me Serbinë, e cila, sipas tij, nuk po trajtohet në mënyrën e duhur.

Ai thotë se në këtë tryezë, PSD do të shpërfaqë, një mënyrë të re të menduarit për këtë çështje, e cila do të ndihmojë dhe në vendosjen adekuate të Republikës së Kosovës, karshi shteteve tjera, në përputhje me interesat nacionale të kësaj republike.

Ndërkaq, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Vetëvensosjes, lidhur me mos përfshirjen e temës së zgjedhjeve në tryezë, ai thotë se e askush nuk duhet t’ia kushtëzojë askujt temat.

Thotë se VV e ka mbajtur tryezën e saj, ku vet ka caktuar temën dhe se rruga përpara nuk bëhet, duke i kushtëzuar të tjerët.

Por, për Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje mbetet e pakuptueshme, se pse PSD-ja nuk i ka qëndruar besnike kërkesës për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Madje, për otë se PSD ka devijuar nga kjo temë dhe se ajo së bashku me PDK-në, temë të këtyre tryezave, e kanë vënë dialogun me Serbinë.

Ndërsa, theksoi se VV-ja ende nuk ka marrë vendim, se do të jenë pjesë e kësaj tryeze apo jo dhe se një vendim të tillë, do ta marrin gjatë ditës së sotme.

E për Haxhiun, temat e tilla si kjo e dialogut, e cila do të diskutohet në tryezën e PSD-së, janë përpjekje për të hedhur hi, karshi qytetarëve dhe opinionit publik dhe me qëllim të zgjatjes së jetës së kësaj qeverie.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti thotë se LDK-ja, ka iniciuar këto tryeza me qëllim që partitë politike të dakordohen për një datë të zgjedhjeve, pasi që institucionet nuk janë duke funksionuar normalisht.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës, është vendi ku duhet të diskutohet për çështjen e dialogut me Serbinë dhe jo tryezat e tilla.

Hoti më tej thekson se në fund të  mbajtjes së këtyre tryezave, do të shohin nëse është arritur dakordim.

E nëse kjo nuk arrihet , atëherë opsioni i vetëm i tyre sipas tij, mbetet mocioni i votëbesimit në Kuvendin e Kosovës.