08:19 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

Tryezën e katërt e organizon PSD-ja

Partitë politike pritet të mblidhen sërish në një tryezë të përbashkët, e cila pritet të mbahet gjatë kësaj jave.

Tryeza e cila do të organizohet nga Partia Socialdemokrate (PSD) si temë të vetme diskutimi do ta ketë çështjen e dialogut me Serbinë.

Kështu kanë bërë të ditur përfaqësuesit e këtij subjekti për “Zërin”, të cilët megjithëkëtë kanë thënë se ende nuk është vendosur për datën e saktë se kur do të mbahet tryeza në fjalë.

Por përderisa nga Lëvizja Vetëvendosje shprehen skeptikë nëse takimet e tilla do të sjellin rezultate, zyrtarët e partive në pushtet konsiderojnë se mund të arrihet një konsensus i gjerë rreth dialogut po që se lihen anash interesat personale e partiake.
Sipas tyre, është tejet me rëndësi që partitë politike të ulen dhe të diskutojnë rreth procesit të dialogut, proces ky i cili kishte filluar para shtatë vjetësh.

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se tryezat e tilla mes partive më shumë po shërbejnë për konsum ditor sesa për dakordim rreth çështjeve nacionale.