07:34 / E Enjte, 20 Shtator 2018 / indeksADMonline

Turistët gjermanë për Beratin: Qytet mbresëlënës

Qyteti 2400 vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, vazhdon të zgjojë interesin e turistëve të huaj, të cilët kanë qenë të shumtë gjatë këtij viti.

Turizmi në Berat nuk ka mbaruar ende, pasi qyteti ofron një panoramë të shumëllojshme me vende atraktive të cilat mund t’i shijosh në çdo muaj të vitit.

Gjatë ditës së sotme një çift gjerman, të cilët vizitonin për herë të parë Beratin ndau eksperiencën e tyre duke u shprehur se, ”kjo është hera e parë që ne vizitojmë Beratin. Ne mbërritëm dje dhe kishim një problem të vogël dhe të gjithë këtu u treguan të gatshëm për të na ndihmuar dhe shumë të sjellshëm”.

Ata shtuan se “vizituam kalanë e qytetit dhe po na pëlqen shumë. Gjithashtu qyteti është shumë i bukur dhe sidomos qyteti i vjetër, me shumë dritare nga dy anët e lumit është impresionues”.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë, transmeton atsh.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella, ose kalaja, siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta.