15:31 / E Mërkurë, 19 Shtator 2018 / indeksADMonline

Turqia thyen rekord absolut në turizëm

Turqia ka pritur 11.8 milion turistë në pesë muajt e parë të vitit 2018, rekord i ri ky për këtë vend, njoftoi Numan Kurtulmus, Ministri i Kulturës dhe Turizmit.

“Numri i turistëve është rritur për 30 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Kjo është niveli më i lartë që kemi arritur deri tani. Në fund të vitit 2018, ne shpresojmë që të thyejmë një rekord të ri duke pritur 40 milionë turistë dhe duke fituar 32 miliardë dollarë”, tha Kurtulmus pas takimit të Këshillit të Konsultimit të Turizmit në Stamboll, transmeton IndeksOnline.

Qeveria kishte vendosur një shifër prej 40 milion turistësh si një objektiv për 2018, tha ministri, duke shtuar se shifrat që kanë marrë tregojnë se ata do të tejkalojnë objektivin e përmendur. “Ne do të kemi një mundësi për të rishikuar objektivat tona të vitit 2023 për 50 milionë turistë dhe 50 miliardë dollarë”.

Ministria më parë njoftoi se Turqia priti mbi 32 milionë turistë në vitin 2017, duke fituar 26.5 miliardë dollarë.

Ndërsa vendi priti 36.8 milionë turistë të huaj në 2014 dhe 36.3 milionë në vitin 2015, numri ra ndjeshëm në 25.3 milionë në 2016 ( një vit që përfshinte një seri sulmesh terroriste dhe një përpjekjeje të dështuar të grushtit të shtetit), por u rrit përsëri në 32.4 milion vitin e kaluar, sipas një organi statistikor kombëtar. /IndeksOnline/