17:17 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Ujësjellësi “Prishtina” sqaron helmimin e katër personave me klor në Fushë Kosovë

Gjatë ditës së sotme, KUR ”Prishtina” sh.a. është njoftuar nga mediat lidhur me helmimin me klor të katër personave në një hekurishte të komunës së Fushë Kosovës, ku bocat janë blerë nga Ujësjellësi i Prishtinës.

KUR “Prishtina” ka sqaruar se ka kontratë me kompaninë “REC-KOS” sh.p.k, e cila bocat dhe materialet e tjera të metalit ,të shitura përmes Ankandit Publik, i kishte blerë para 6 viteve.

Sipas ujësjellësit, bëhet fjalë për boca të cilat janë jashtë përdorimit dhe komplet të zbrazura.

Ja sqarimi i ujësjellësit:

Njoftojmë opinionin e gjerë publik që në bazë të dokumentacionit që posedojmë në kuadër të Departamentit të Prokurimit, në vitin 2012 është shpallë tenderi për shitjen e materialeve nga metali për reciklim, të cilat materiale, komisionet përkatëse i kanë vlerësuar si asete jashtë përdorimit dhe në mesin e tyre ka pasur edhe boca të klorit të para vitit 1999( të zbrazura dhe jashtë përdorimit), me ç’rast kompania fituese e këtij tenderi ka qenë “ REC-KOS” sh.p.k nga komuna e Fushë Kosovës.

Më datë 21.06.2012, një komision i caktuar nga menaxhmenti i atëhershëm/kryeshefi, në përbërje prej tre anëtarëve, ka përfunduar inspektimin dhe pas vlerësimit të materialeve ka kërkuar miratim nga Bordi i athershëm i Drejtorëve të KRU”Prishtina” sh.a., me ç’rast edhe ishte miratuar kërkesa e tyre për zhvillimin e procedurave nëpërmjet Ankandit Publik.

Pas të gjitha procedurave të rregullta , më datë 28.09.2012, KRU ”Prishtina” sh.a. ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për kompaninë “REC-KOS” sh.p.k nga Fushë Kosova.

Kontrata me kompaninë fituese është nënshkruar më datë 03.10.2012.

Më datën e njëjtë, ish Kryeshefi Ekzekutiv ka caktuar komision në përbërje prej tre anëtarësh, i cili do jetë përgjegjës për inspektimin dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të ngarkimit dhe transportit të materialeve.

Në bazë të shënimeve të komisionit në fjalë, figuron se në atë kohë, mes tjerash janë shitur gjithsej 187 boca të klorit, nga të cilat 89 kanë qenë me kapacitet 50 litra, ndërsa 98 me kapacitet 150 litra.

Nga dëshmitë e po të njëjtit komision rezulton se bëhet fjalë për boca të cilat janë jashtë përdorimit dhe komplet të zbrazura.

Pra, kompania “REC-KOS” sh.p.k, bocat dhe materialet e tjera të metalit ,të shitura përmes Ankandit Publik, i kishte blerë para 6 viteve.