13:47 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

Ujëvarat e Rajnës në Zvicër, spektakël natyror dhe atraksion për turistët

Është e njohur se Zvicra është një vend që posedon bukuri natyrore, ndërsa më të njohura dhe më të vizituara edhe nga turistët e huaj janë Ujëvarat e Rajnës, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ujëvarat e lumit Rajna ndodhen në territorin e komunës Neuhauzen am Reinfal në kantonin Shafhauzen (bregu i djathtë) dhe Laufren-Uhveizen në kantonin e Cyrihut (bregu i majtë) rreth 4 kilometra në perëndim të qytetit Shafhauzen.

– Ujëvarat më të mëdha në Evropë

Lartësia e përgjithshme e ujëvares është 23 metra ndërsa kaskada më e gjatë 150 metra, që i bën të jenë ujëvarat më të mëdha në Evropë.

Këto ujëvara çdo herë i kanë mahnitur njerëzit, kanë tërhequr vizitorët nga të gjitha anët e botës. Revista, e dedikuar për vizitorët e Ujëvarave të Rajnës “Rheinfall Guest Magazine” shkruan se këto ujëvara i kanë vizituar poeti gjerman nga shekulli i 19-të Goethe dhe perandorja austro-hungareze Sisi, të cilët kanë qenë të mahnitur nga to. Si atëherë, ashtu edhe sot, spektakli natyror që e ofrojnë ujëvarat nuk e kanë humbur vlerën.

– Ujëvarat i kanë vizituar 1,5 milionë turistë

Sipas revistës, vitin e kaluar, Ujëvarat e Rajnës i kanë vizituar 1,5 milionë turistë, duke i bërë një nga destinacionet më të vizituara në Zvicër.

Ujëvarat mund të shihen në disa mënyra, nga platforma të larta për vrojtim, me ndihmë të anijes si dhe nga kullat që janë ndërtuar në afërsi të tyre.

Në kuadër të kompleksit të Ujëvarave të Rajnës, gjatë periudhës verore mbahen festivale të ndryshme muzikore dhe kinema në qiell të hapur ku vizitorët kanë mundësi të shijojnë në përmbajtjet e pasura të aktiviteteve kulturore.

Siç thekson “Rheinfall Guest Magazine”, vlerësohet se Ujëvarat e Rajnës janë të vjetra rreth 15.000 vjet, që nga aspekti gjeologjik paraqet formacion shumë të ri.

Për formimin e tyre, dy faktorë ishin të rëndësishëm: natyra e tokës dhe proceset gjeologjike gjatë epokës së akullit. Ata formuan peizazhin dhe kanë mundësuar që lumi të gjejë rrugën e vet drejt shtratit të parë të lumenjve.

Turistë të shumtë vendas dhe të huaj që vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga kontinente të tjera, nuk e humbasin mundësinë të fotografohen në peizazhin e bukur që e ofrojnë Ujëvarat e Rajnës.