20:04 / E Hënë, 30 Prill 2018

Uniteti – Kauzë e domosdoshme nacionale!

Shkruan: Halit Krasniqi

Publikimi i Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkani, Draft Strategjia e sigurisë kombëtare të Serbisë dhe Draft strategjia e Mbrojtjes, të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, janë dokumente studimore për dhjetë vjetshin e ardhshëm të situatave dhe të rreziqeve të sigurisë së Serbisë, në të cilat nuk ka ndryshime të politikave ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Duke nënkuptuar me këtë rast edhe Draftin konspirativ të veprimit nga Shërbimi sekret i Serbisë për mbështetjen e këtyre strategjive, rrjedhimisht për institucionet e Republikës së Kosovës dhe për subjektet politike parlamentare dhe jo parlamentare, përbëjnë një momentum për të shikuar sfidat që i vijnë shoqërisë sonë, institucioneve të shtetit dhe detyrat që dalin ndaj subjekteve politike.

Së pari, duhet përfunduar obligimet ndaj Raportit të Progresit për integrimin sa më të shpejt në synimet tona euroatlantike dhe së dyti, për të evituar rreziqet nga politikat armiqësore të Beogradit zyrtar.

Ky nivel i emancipimit të shoqërisë sonë, kjo shkallë e kthjelltësisë së lidershipit politik dhe kjo gjendje e diskutueshme e devotshmërisë ndaj detyrave të kauzës nacionale, nuk duhet ta ndihmojnë aspak strategjinë e Beogradit për të krijuar skepse dhe hendikepe në arritjen e qëllimeve tona shekullore. Duke mos lejuar të krijojnë si deri tani premisa të mjaftueshme për ta minuar unitetin tonë. Rrjedhimisht, të mos e bëjnë edhe më sfiduese synimet tona në rrugën e domosdoshme për integrime euroatlantike.

Lajthitja e objektivit të shqiptarëve, ka qenë një strategji ndër kryesorët e Beogradit që ka pësuar perfeksionime vazhdimisht. Por, gjithnjë në të kaluarën ka pasur të njëjtin qëllim: dështimin e përpjekjeve tona për ta çliruar nga kthetrat e robërisë pjesën e pushtuar të vendit tonë. Në këtë çështje, strategjia shqiptare ka bërë mrekullinë e saj pa dilema dhe këtu, diskutimet janë të mbyllura. Por, nuk duhet t’i ndalim diskutimet për pretendimet e reja të Beogradit, të shprehura në Strategjitë e hartuara çdo dhjetë vjet.

Duke i studiuar si materie, gjejmë fakte të reja në vazhdimësi për të na bindur se shumë prej tyre në të kaluarën e afërt nuk i kemi njohur në tërësi.

Perfiditetin e krijimit të konflikteve brenda nesh me kaq ndikim, ende nuk kemi mund ta zbërthejmë në masë të duhur. Seps, uruganin e saj, të nisur para një shekulli e të modifikuar vazhdimisht, ende nuk po mund ta ndalim. Sidomos modifikimin e saj në këto dy decenie të fundit dhe katapultimi i tyre me sukses në të gjitha organizimet politike dhe në të gjitha nivelet institucionale. E, veçanërisht në segmente të caktuara në Tiranë, me synime ndikimi në Prishtinë,  që është rrëqethës.

Vetëm një bashkëpunim i ndërsjellë dhe një bashkim gjithë shtresor i formacioneve politike dhe të institucioneve akademike gjithë shqiptare, mund të krijojnë formula dhe të gjejnë ekuacione që Kosova në rrugën e saj të konsolidohet në marrëdhënie ndërkombëtare. Kjo duhet të ndodhë pa hapur fronte tjera për të cilat kemi motive të mjaftueshme, por për hir që çështja shqiptare të vazhdoj me kapitujt tjerë të triumfojë përfundimisht pa asnjë dilemë ashtu siç e dikton arsyeja.

Duke mos e njohur natyrisht shkallën e rrezikut të mungesës së unitetit tonë, deri tani ka munguar një sens i tillë i preferuar edhe në momentin më të duhur historik, fillim e mbarim në shekullin e kaluar. Ani edhe pse është ndër veçoritë e arta të ekzistencës sonë. Madje, si i tillë, ky unitet ka munguar edhe në kohën kur kallej ky vend dhe vritej e dëbohej ky popull nga trojet e veta etnike. Sepse fare nuk kemi besuar se mund të jetë kaq e dëmshme mungesa e këtij vetdijësimi për rëndësinë e unitetit në luftën tonë çlirimtare atëherë dhe tani gjithashtu edhe për aspiratat e popullit tonë për ta krijuar një shtet të pavarur dhe efikas.

Pas triumfit të Luftës çlirimtare, duke ju falënderuar edhe ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare, filluam rimëkëmbjen e Kosovës dhe krijimin e institucioneve të pavarura. Ky ishte një moment ekzaltues që vetëm iluministët kanë mundur ta besojnë.

Edhe në këto momente, ka munguar uniteti jonë.  Madje edhe kur ekzistonte uniteti i botës së emancipuar për të përkrahur një Qeveri të

Unitetit të Kosovës. Pa dyshim që janë edhe faktorë të tjerë, por ndër më kryesorët edhe mungesa e Unitetit tonë, ka ndikuar për ta harruar pjesën veriore të banuar me serb, përtej lumit Ibër. Në këto momente, strategjia e Beogradit ishte e përnjëhershme, efikase dhe shumë perfide. Aty mbetën një pjesë e banorëve me adresë të decenieve të mëparshme, gjatë sundimit komunist të atyre vendbanimeve dhe regjimi socialist i

Serbisë grumbulloj të tjerë nga vise të tjera të Kosovës ku nuk ndiheshin të sigurt për shkak të shërbimeve që i kishin bërë formacioneve vrastare gjatë luftës së viteve 98/99 dhe në të njëjtën kohë, largoi afër 15 mijë shqiptarë përtej lumit Ibër.  Për të harruar atë pjesë të Kosovës, Beogradi ka ndërtuar taktika të reja të së njëjtës strategji dhe ka aktivizuar me shpejtësi gjithfarë prodhimesh artificiale të pragmatizmit politik. Kjo strategji kishte prodhuar e zbatuar skenarë për zhbërjen e shqiptarëve nga trojet etnike shqiptare, fillim e mbarim të shekullit të kaluar, gjithashtu për të vazhduar me të njëjtin mentalitet edhe në fillim të këtij shekulli, vetëm se tani nga një pozicion disfatist në marrëdhënie të brendshme të dërmuara nga pësimet e shumta në luftërat po thuaj të një dekade që kishte nxitur e udhëhequr Beogradi dhe në marrëdhënie të lënduara ndërkombëtare si asnjëherë në historinë e ekzistencës së tyre si shtet e si identitet nacional.

Në këso pozite të pa këndshme e aspak të favorshme për një front të drejtpërdrejt të prirë nga makineria dhe establishmenti shtetëror, kanë nxitur dhe inkurajuar ata banorë serb të Kosovës, të dëshpëruar nga dështimi i politikës hegjemoniste të shtetit të tyre, si dhe humbja e pozicionit të tyre mbi shqiptarët, duke e përjetuar si prishje e jetës së tyre me aq privilegje të përditshme që kishin shijuar deri atëherë nga regjimi gjysmë shekullor komunist dhe nga modifikimi socialist së fundi.

Me mungesën e unitetit tonë, hamendjes së Administratës ndërkombëtare, fillimisht Beogradi ka vënë në veprim grupe paramilitare duke nxitur e ndihmuar për të krijuar barrikada në oaza të banuara me serbë, duke kërkuar nga Administrata ndërkombëtare, civile dhe ushtarake për mbrojtje të domosdoshme. Kështu, kanë sfiduar edhe misionin ndërkombëtar të vendosur në Kosovë. Deri sa u kompromentuan këta skenar të Beogradit, këto formula funksionuan me sukses në disa plane.

Institucioneve të shtetit në krijim dhe administratës ndërkombëtare iu ishte imponuar si imperativ i kohës logjika që të dukej paqja dhe qetësia për të gjithë qytetarët pa dallim se është e shtrirë në tërë Kosovën.

Në adresën e skenarëve armiqësor në Beograd, gjatë kësaj kohe, janë ideuar drama të tjera me incidente të cilat do të promovohen në midis të Prishtinës, vetëm se tani me protagonist shqiptarë.

Ngase në këta skenarë Kosova ishe projektuar si teatër eksperimental, ku do të shfaqeshin skenar tragjikomik, me e pa autorësi të njohur publikisht. Me qëllim deri në kompromitim të synimeve tona, pikërisht në përpjekje të përmbylljes së epokës triumfuese të shqiptarëve.

Për ta trazuar jetën dhe zhvillimet në këtë vend, do të shihen e dëgjohen ankesa e protesta me dekor kuq e zi, me recitime atdhetare, e me platforma simpatike si tingëllimë në tërë hapësirën e frymimit tonë. Strategjia e platformës në bazë të fjalëformimit ishte dizajnuar si shumë tërheqëse për moshat e reja dhe jo vetëm për to.

Pa lën vend për t’u lëshuar në analiza ku kemi qenë, si kemi arritur këtu dhe ku jemi tani. Këto trajtime duheshin bërë heshturazi, pa zhurmë e pa dekorime të identitetit tonë, sepse ishin krijuar rrethanat të papërsëritshme e shumë të volitshme për të arritur atje ku duhet në synimet tona shekullore.

Beogradi kishte krijuar strategji për veprime kaotike, duke satanizuar administratën e brishtë vendore e ndërkombëtare, të cilat kishin realisht skepse nga deficite gjithëfare. Duke filluar nga aspektet etnopsikologjike e deri te pasojat e procesit të katarsisit historik që po kalonim për herë të parë triumfues nga një përjetim apokaliptik.

Gjithashtu, objektiv goditës do të bëhët veçanërisht mbështetja dhe ndihma ndërkombëtare që për herë të parë në historinë e ekzistencës sonë si shqiptar, po e përjetonim të shtrirë vertikalisht e horizontalisht në favor të vendit e qenies tonë. Deri  edhe sheshazi në ruajtjen e tërësisë territoriale, duke e detyruar armikun tonë shekullor që për një periudhë kohe të caktuar të mos afrohej kufirit të Kosovës asnjë uniformë e armatosur policore apo ushtarake në distancë prej pesë kilometrave si dhe asnjë aeroplan, as civil e as ushtarak, të mos fluturoj më afër se 25 km nga kufiri i Kosovës.

Edhe në këtë realitet, do të mungoj Uniteti i domosdoshem i shqiptarëve. Nga mungesa e këtij uniteti do të defilojnë pakënaqësi në adresë të Administratës ndërkombëtare me dekorime kuqezi e me motive të pakënaqësive shqiptare. Së shpejti, skena teatrale e Kosovës do të plotësohet edhe me një formacion me tespih e belbëzime kuranore, për gjoja mungesa të hapësirave për lutje e falje namazi pa qenë ky realisht problem i besimtarëve dhe pa qenë fare i kërcënuar absolutisht aspak besimi fetar dhe kultivimi i obligimeve fetare.

Madje, asnjëherë gjatë njëqind viteve të fundit, besimi fetar nuk kishte pasur kushte më të favorshme për t'u kultivuar e ekspozuar. Serbia duke qenë në pozitë disfatiste, do të vazhdoj me skenar që do ta trazonin Kosovën përbrenda dhe të katapultoj kuadro në institucionet e saj.

Që nga fillimi, ishin krijuar projekte mbi motive konkrete, duke filluar nga protesta e djegie në mjedis të kryeqytetit të vendit tonë me gjithfarë motivesh në periudha ciklike, duke ia përshtatur zhvillimeve të përgjithshme. Gjithnjë duke gjetur protagonist të cilëve do të u afrohej projekti pa e kuptuar as ata vet personalisht ku ishte ngjizur ai projekt.

Sepse në krye të kërkesave, ishte spikatur vullneti politik që synonte personifikimin dhe etablimin protagonist për drejtimin e vendit, me protesta të zhurmshme, përplasje me ruajtësit e rendit. Pa kursyer flakën e tymin, nga thyerjet dhe djegiet në kryeqytet. Duke përfunduar me gazin lotsjellës gjithandej në emër të gjithfarë platforme, duke ideuar kauza flakë ndezëse, për të djegur proceset e zhvillimit, në emër të misioneve të mëdha, duke krijuar kauza për obsesione e pasione të justifikueshme me motive të forta emocionale për mbrojtje të integritetit territorial.

Pasi kishin dështuar skenarët e Beogradit për t’i djegur përpjekjet në ndërtimin e frontit të luftës së armatosur decenie më parë, duke eleminuar e vrarë një pjesë të korifejve të ideve çlirimtare në midis të Evropës në Gjermani e Belgjikë dhe autorët e konceptit të organizimit ushtarak në Kosovë, herë në prita publike e herë me atentate e likuidime në heshtje edhe mistershme, të cilat kanë pasur pasoja dhe kanë bërë ndikimin e tyre, duke sjell hendikepe në fillimin e luftës tonë çlirimtare.

Tani, të gjitha këto duhet të jenë temë e debateve të së kaluarës nga të cilat duhet të nxjerrim mësime, jo për të na larguar në mes vete, por për të mos u përsëritur më asnjëherë e për ta forcuar përherë unitetin tonë.

Sfidat janë konkrete dhe të konceptuara. Kush dëshiron zhvillimin e këtij vendi dhe prosperitetin e këtij populli, detyrë të parë kanë: plotësimin e detyrave të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për shtet e Ballkanit dhe dy: përgatitja për sfidat e reja që vijnë nga Strategjitë dhjetë vjeçare të Beogradit. Në të cilat,  jo vetëm se nuk ka ndryshime e pendesë për krime e konflikte të deritashme, por ka kërcënime për të ardhmen tonë.

Për hir të së vërtetës dhe të tjerave që mund të nënkuptohen, edhe kur mund të ketë motive personale e grupore në thirrjet për unitetin tonë politik në këtë kohë, jo vetëm që nuk do të duhej të qëndroj indiferent askush, por do të duhej të manifestoj gatishmëri çdo njëri dhe të kontribuoj në modifikimin e këtij Untiteti që të krijohej sa më pëmbajtësor që edhe kur të shprehet si sintagmë nga adresa politike, të ndihmohet bashkarisht që të shndërrohet doemos në kauzë nacioanle.

Uniteti ishte, është dhe mbetet kodi ynë për të ecur përpara, drejt synimeve tona.