20:17 / E Premte, 21 Shtator 2018 / indeksADMonline

UP dhe Eurometal nënshkruajnë memorandum për bashkëpunim në fushën e shkencave teknike

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Eurometal (SH.P.K) .

Ky Memorandum parasheh lidhjen e bashkëpunimit në fushën e shkencave teknike ndërmjet Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së si dhe Eurometalit.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, pronari i Eurometalit, Njazi Musliu dhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. dr. Ahmet Shala.

Rektori Dema u shpreh i lumtur për arritjen e zyrtarizimit të këtij bashkëpunimi, i cili sipas tij do t’i kontribuojë misionit që studimet në UP të ndërlidhen edhe më tepër me nevojat e tregut, duke plotësuar njëherësh edhe nevojat e studentëve për punë praktike dhe bursa.

Në anën tjetër, Musliu tha që ndjehen të nderuar që po nënshkruajnë memorandum me Universitetin e Prishtinës, institucionin kryesor të dijes në vend. Ai tha që ata do të jenë të lumtur që do t’i shërbejnë studentëve të UP-së, teksa foli për sukseset e kompanisë së tij në tregun evropian.

Memorandumin e konsideruan të dobishëm edhe prorektori për shkencë në UP, prof. dr. Faton Berisha dhe dekani i FIM-it, prof. dr. Ahmet Shala. Prorektori Berisha, tha që përveç pjesës të punës praktike dhe bursave për studentët, ky bashkëpunim do të sjellë dobi edhe në përfshirjen e ekspertëve të industrisë në procesin arsimor, kryesisht në përpilimin e planprogrameve mësimore. Ndërkaq, dekani Shala vlerësoi lartë bashkëpunimin që Fakulteti i tij ka pasur viteve të fundit me Eurometalin, teksa u shpreh i lumtur që ky bashkëpunim po zgjerohet edhe me fakultete dhe fusha të tjera.

Memorandumi i Mirëkuptimit do të ketë në fokus fushën e shkencave teknike, në të cilin palët pajtohen se ekziston interes i përbashkët për krijimin e një bashkëpunimi afatgjatë teknik, arsimor dhe shkencor. Nder të tjerash, marrëveshja përfshin sigurimin e praktikave dhe bursave për studentë, përfshirjen e ekspertëve të industrisë në procesin arsimor, si dhe bashkëpunim në projekte të përbashkëta kërkimore. /Indeksonline/