15:17 / E Enjte, 25 Janar 2018 / indeksADMonline

UP shënon 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut

Në Sallën e Senatit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u mbajt sot Mbledhje solemne e Senatit, për të shënuar 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, dekanët dhe prodekanët e njësive akademike, senatorët si dhe stafi akademik dhe administrativ i UP-së.

I pari i UP-së, prof. dr. Marjan Dema uroj shënimin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Ai foli për figurën e tij si hero por edhe si lider i shqiptarëve.

“Skënderbeu ishte përfaqësuesi më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, i cili veproi në frymën që as individi, as fisi, e as krahina nuk mundet me qenë mirë, pa qenë mirë Shqipëria. Le të frymojë kjo frymë Kastriotiane edhe në ditët tona! Le ta vendosim interesin e përgjithshëm para çdo interesi personal, mu ashtu siç bëri heroi ynë Skënderbeu, dhe kur Kosova të jetë mirë, sigurisht që edhe Universiteti i Prishtinës, e pastaj ne si individ do të jemi mirë” ishte mesazhi i Demës në fjalimin e tij.

Tutje, Rektori foli edhe për suksesin e fundit të UP-së duke u ngritur për 640 vende më lartë në ranglistën e Webometrics.

“Ky sukses është arritur duke iu falënderuar studentëve, stafit akademik dhe jo akademik, Senatit, KD-së dhe menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, si dhe të gjithë partnerëve të brendshëm dhe të jashtëm” tha Dema.

Ndërkaq, për të treguar nga aspekti historik jetën dhe veprën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, profesori i historisë në Fakultetit Filozofik, Muhamet Mala iu drejtua të pranishmëve me fjalë rasti. Ndër të tjerash, profesori Mala tha:

“Përmes personalitetit të Skënderbeut kurdoherë vjen në shprehje madhështia dhe forca krijuese arbërore, e cila mbart në vete vlerat më humane dhe civilizuese të secilit popull, të drejtën e luftës për liri dhe identitet. Përmes emrit të tij, shqiptarët në sytë e popujve të Evropës fituan namin dhe madhështinë që nuk e patën asnjëherë më parë, duke u ngritur në mbrojtje të vendit por edhe të qytetërimit evropian”.

Kjo ceremoni u organizua nga menaxhmenti i UP-së, në kuadër të aktiviteteve që po mbahen në shënimin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.