17:12 / E Martë, 22 Maj 2018 / indeksADMonline

Vala nuk ka shpëtim, por a mund t’i mbledhim copat e saj?

Shkaktarët e përditshëm të Telekomit të Kosovës/VALA-s janë mbi punësimi i militantëve dhe kriminelëve, pagesat e majme të qirave për njerëzit e politikës, keqpërdorimi në mijëra tenderë publik dhe qasja menaxheriale e viteve të pasluftës, ku ende presin fitime nga thirrjet dhe SMS-të.

Edhe nëse Z-Mobile nuk do të ekzistonte fare, gjendja e Telekomit të Kosovës do të ishte e njëjta: buzë falimentimit. Telekomi ka mundur të përfitojë nga Z-Mobile. Por, me qasjen arkaike menaxheriale, njerëzit e politikës vendosën t’i dëmtojnë të dy kompanitë edhe publiken, edhe privaten.

Para një dekade, më 13 qershor të vitit 2008, drejtues të Telekomit krenoheshin me fitimet e kësaj ndërmarrjeje. Ishte publikuar raporti financiar për vitin 2007. Fitimi para tatimit ishte në vlerë prej rreth 98 milionë euro.

Atëkohë, unë isha një gazetar fillestar. Etrur Rrustemaj ishte drejtor i ndërmarrjes gjatë vitit 2007. Kur raporti që tregonte për rritje të fitimeve ishte publikuar, Rrustemaj dëshironte që t’ia atribuonte vetes këtë sukses. Tregonte se ishte penguar të vazhdonte tutje për shkak të presioneve politike.

Edhe pse kishte ardhur në krye të kësaj ndërmarrje në kohën kur vëllai i tij ishte deputet i PDK-së, grupet tjera të interesit ishin më të fuqishme. Më vonë, do të rrihej në qendër të qytetit nga Gani Thaçi, vëllai i Hashim Thaçit.

Pas Rrustemajt, drejtorët e politizuar do të ndërroheshin njëri pas tjetrit. Profile të korruptuarish, të politizuarish e hajdutësh u përzgjodhën për postin e drejtorit ekzekutiv dhe të anëtarëve të bordit drejtues.

Kjo ndërmarrje ka duruar edhe të korruptuarën Leme Xhema në postin e drejtoreshës. Pastaj njerëz si : Adnan Merovci, Nuredin Krasniqin edhe një ish-zyrtari të lartë të IPKO-së Ejup Qerimin dhe Shyqyri Haxhën. Dështimet e secilit, të përmbledhura së bashku, i mbeten në dorë Agron Mustafës, një ish-anëtar i PDK-së.

Pas tërë këtyre emërimeve politike, fitimet e ndërmarrjes do të shënonin rënie.

Ishin të përvitshme. Tashmë, një dekadë pas këtij suksesi Telekomi i Kosovës është buzë falimentimit.  Ndoshta, për koincidencë pikërisht më 13 qershor të këtij viti mund të ndodhë edhe kolapsimi i kësaj ndërmarrjeje publike.

Suksesi i prezantuar më 2008 nuk mund të përsëritet më. Po, atë vit është futur në treg kompania “IPKO”.  Një pjesë të madhe të tregut e mori kjo kompani. Çuditërisht, drejtuesit e ndërmarrjes publike patën raporte të mira me konkurrentin e vetëm të telefonisë mobile. Asnjë zënkë publike e asnjë akuza kundër njëra tjetrës për korrupsion e krim të organizuar. Ngjashëm, nuk ndodhi me operatorin virtual të telefonisë mobile “Z-Mobile”.

Përplasje të pafundme deri në një vendim të Arbitrazhit në Londër. Telekomi/Vala ka përfituar miliona në fillim nga “Z-Mobile”. Ka mundur ta shfrytëzojë për të përfituar edhe më shumë. Nuk e bëri. I pamundësoi edhe vetes, edhe kompanisë “Z-Mobile” që të përfitojë. Fitimet shkuan tek konkurrenti i tyre i përbashkët: IPKO.

Është ende e debatueshme se si arriti biznesmeni Blerim Devolli që të nënshkruajë marrëveshjen për të funksionuar si operator virtual i VALA-s. Nëse ai nuk do të arrinte, sigurisht që një multimilioner tjetër do të ishte në vend të tij.  Por, edhe nëse nuk do të ekzistonte fare kompania “Z-Mobile”, gjendja në ndërmarrjen publike do të ishte e njëjta. Do të ishte sikurse që është: buzë falimentimit.

Telekomi është shkatërruar nga mbi punësimi, pagesat e majme të qirave për njerëzit e politikës, keqpërdorimi në mijëra tenderë publik dhe keq menaxhimi. Po bëhen një dekadë që asnjë drejtor  i Telekomit të Kosovës nuk ka shtyrë përpara investime drejt shtrirjes së IPTV-së dhe internetit.

Edhe nëse dëshiron, sot nuk ke ofertë serioze që të blesh internet dhe kabllovik nga ndërmarrja publike. Një gjë tejet paradoksale për vitin 2018. Kjo ndërmarrje ende funksionin si po të ishte në vitin 2008, duke pritur të përfitojë nga thirrjet telefonike dhe SMS-të.

Por, a mund të shpëtohet diçka nga gjiganti i dërrmuar i telekomunikimeve?

“Sa po ma shet qishtu qysh është, të prishtë?”, është klisheja më e famshme që përdoret në pazaret mes shqiptarëve. Përdoret edhe për ta shtensionuar bashkëbisedimin mes pazarxhinjve, por edhe si tentativë për ta zbritur çmimin. Por, duket se ky ka mbetur opsioni i vetëm për Telekomin e Kosovës. Jemi duke pritur që një kompani private të ia bëjë këtë pyetje Qeverisë.

Ende nuk po e bënë askush. Në momentin kur do ta bëjë, është mirë që Qeveria ta shesë Telekomin/Valën kështu siç është. Buzë falimentimit.

Privatizimi do të ishte shpëtimi. Jo edhe deklaratat e kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukës, që bëhen kinse po analizojnë mënyra për ta shpëtuar këtë ndërmarrje publike.

Qeveritarët janë shkatërruesit më të mëdhenj të ndërmarrjeve. Nga ta nuk pritet që do ta befasojnë publikun me shpëtimin e njërës prej tyre.

Telekomi i Kosovës, pa përfshirë punonjësit e ndërmarrjes Posta e Kosovës, numëron 3 mijë punëtor. Në kohërat e arta, para një dekade, dy ndërmarrjet së bashku kishin vetëm 2 mijë e 500 të punësuar.

Më shumë se 2 mijë prej tyre nuk kanë prekur asnjë punë me dorë. Shumica janë militantë, të punësuar pa kritere. Qindra janë kriminelë që pas daljes nga burgu janë punësuar aty nga politikanët krimininelë.

Përkundër këtyre fakteve, askush nuk ka guxim që të ndërmarrë masa.

“Duhet analizë nëse duhet të ulen pagat”, kjo është deklarata e ministrit Lluka, i cili më shumë duket se satirizon me problemin e falimentimit të kësaj ndërmarrjeje.

Vazhdon tutje duke e thënë edhe këtë: Nëse duam ta shpëtojmë Telekomin, duhet të ulen pagat në baza të përgjithshme.

Duket se pret një përgjigje nga dikush që i thotë: Jo, faleminderit. Nuk duam ta shpëtojmë.

Kontradiktor dhe i pavullnetshëm për të marrë vendime. Një ministër nuk duhet të flasë si analist i zhvillimeve ekonomike. Duhet të njoftojë për vendimet e marra.

Vetëm brenda një viti mbi 27 milionë euro shpenzohen për paga. Me këto para paguhen mijëra militantë e kriminelë të ndryshëm.

Ndërkaq mbi 10 milionë euro tjera shpenzohen për qira. Një prej tyre është vëllai i Rrustem Mustafa-Remit, i cili përfiton qindra mijëra euro në vit.

Secili prej këtyre përfituesve ka lidhjet e tij me politikanët. Kjo është arsye që Qeveria nuk ka guxim që të vendos për zbritje pagash e zbritje të shumave të majme të qirave. Politika e ka shkatërruar Telekomin e Kosovës dhe nuk do të jetë asnjëherë shpëtimtarja e saj. I vetmi shpëtim është privatizimi nga një kompani serioze private. /Insajderi/

Temat: