16:47 / E Diele, 24 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Varësia nga videolojërat, çrregullim mental

Varësia nga videolojërat së shpejti nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë zyrtarisht do të klasifikohet si çrregullim mental.

Anëtari i kësaj organizate, Vladimir Poznyak, tha se varësia nga videolojërat është problem i madh, transmeton KosovaPress.

“Varësia nga videolojërat shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, pasi përdorimi i tepërt i tyre shkakton çrregullime mentale”, tha ai.

Një studim i vitit të kaluar nga ekspertët e Oksfordit tregoi se gjithsej dy deri në tre për qind e pjesëmarrësve të studimit ishin të varur nga videolojërat, në bazë të mostrës prej 19.000 të anketuarve nga Britania e Madhe, SHBA, Kanada dhe Gjermania.

Përveç gjithë kësaj, disa vjet më parë Shoqata Amerikane e Psikiatrisë bëri një listë të simptomave që tregojnë se një person është i varur nga lojërat. Këto simptoma përfshijnë ankthin, izolimin dhe sjellje antisociale.

Ndryshe, një hulumtim i kryer nga ESET ka treguar se nga 500 lojtarë të anketuar, dhjetë për qind prej tyre luajnë lojëra në mes 12 deri 24 orë në ditë.