14:02 / E Enjte, 22 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Veseli: Lista Serbe e respekton dhe e do shtetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pasi tha në foltore se seanca shtyeht për nesër, ai ka folur për media.

Veseli është shprehur tejet i bindur se do të arrihet konsensusi mes partive politike dhe se do të ratifikohet marrëveshja për demarkacionin.

Ai u ka bërë thirrje edhe një herë deputetëve që t`i lënë anash debatet patriotike dhe t`u mundësojnë qytetarëve lëvizjen e lirë nëpër vendet e BE-së.

“Qytetarët e Kosovës duhet dhe do të lëvizin lirshëm në BE brenda këtij viti. Jemi në rrugë shumë të mirë që në përpjekje të arrihet konsensusi i përbashkët. Kemi mbajtur një takim shumë të mirë, i falënderoj partitë politike, ambasadorin amerikan dhe zonjën Apostolova. Duam që deri të mërkurën çështja e ratifikimit të marrëveshjes të përfundojë. Kërkojmë përkrahjen nga ju media dhe qytetarët që të arrijmë konsensusin. Thërras cdo deputet që e do shtetin dhe atdheun e vet, nuk ka patriotizëm më të madh sesa sot nesër a pasnesër, me konsensus të plotë pozitë-opozitë me e votu marrëveshjen dhe me i jep perspektivë vendit, më tepër sesa debateve patriotike”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.

Veseli ka komentuar qëndrimin e Listës Serbe në raport me demarkacionin. Ai për këtë ka dhënë një përgjigje interesante, përkundër se në një letër të kësaj partie Kosovën e quajnë “Kosova dhe Metohia” dhe thonë se nuk e votojnë këtë marrëveshje.

“E rëndësishme është që sot po flasim të jemi bashkarisht pozita-opozita, Lista Serbe është pjesë e realitetit në Kosovë, ata e respektojnë shtetin e Kosovës dhe e duan shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Veseli.

Tutje, Veseli është shprehur se Kuvendi i Kosovës në momentet më të vështira, di të sillet më së miri./Indeksonline/