16:38 / E Hënë, 18 Qershor 2018 / indeksADMonline

Veseli në Paris: Franca përkrahë Kosovën në integrimet evropiane

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në krye të një delegacioni, të përbërë nga përfaqësues të pozitës dhe opozitës, ka filluar vizitën zyrtare në Francë me pritjen nga presidenti i Asamblesë Kombëtare të Francës, François de Rugy.

Në takim me homologun francez, kryeparlamentari Veseli diskutoi për bashkëpunimin midis Kosovës dhe Francës, në të gjitha fushat, si dhe për zgjerimin e marrëdhënieve ndërmjet dy parlamentare.

Gjatë takimit, kryeparlamentari Veseli shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për të gjitha proceset e deritashme në Kosovë, ndërsa kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Parisit zyrtar sidomos tani për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës gjatë këtij viti.

“Franca është një nga aleatët tanë në rrugëtimin tonë euroatlantik. Ne presim përkrahjen e këtij shteti të lirisë dhe pavarësisë. Morëm zotimin për përkrahje, në mënyrë të veçantë për integrimin e Kosovës në BE dhe natyrisht për liberalizimin e vizave, i cili është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Jam i lumtur që do të kemi përkrahjen e Francës në fushën parlamentare, lidhur me vendimin e madh për liberalizimin e vizave”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se pas plotësimit të gjitha kritereve të parapara, synimi është që këtë vit të kemi liberalizimin e vizave për qytetarët, për të rinjtë, intelektualët, akademikët, ndërmarrësit, në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta ndiejnë veten të barabartë me qytetarët e vendeve të tjera.

“Dhe kjo do të ndodhë. Jemi duke e bërë bashkërisht këtë përpjekje, pozitë dhe opozitë. Falënderoj deputetët nga të gjitha grupimet politike dhe etnike. Kjo është një pasqyrë e mirë e shtetit tonë, pas gjithë asaj çfarë kemi kaluar në tri vitet e kaluara”, theksoi Veseli.

Kryetari Veseli dhe anëtarët e delegacionit e njoftuan hollësisht z. De Rugy për përparimin që Kosova ka bërë në rrugën e saj euro-integruese, veçanërisht aktivitetin legjislativ intensiv, në funksion të përmbushjes së detyrave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për institucionet e Kosovës.

Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Francës, François de Rugy, duke vlerësuar progresin që ka shënuar Kosova në përmbushjen e detyrave të cilët i kërkohen në procesin e integrimit evropian, konfirmoi mbështetjen franceze për Kosovën edhe në të ardhmen./Indeksonline/