17:39 / E Hënë, 23 Korrik 2018 / indeksADMonline

Veseli niset për Itali, vazhdon lobimin për liberalizim të vizave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të udhëtojë sot për në Romë, për të vazhduar lobimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Gjatë vizitës në Romë,  Veseli do të pritet në takim të posaçëm nga presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati.

Kryeparlamentari Veseli do të kërkojë mbështetjen e Senatit dhe shtetit italian për mbështetjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Pas marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian, i cili ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave,  Veseli po vazhdon  vizitat në shtetet e Bashkimit Evropian për të kërkuar përkrahjen e tyre në hapat e mëtejmë, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të Kosovës lëvizja pa viza në zonën Schengen gjatë këtij viti.

Gjatë vizitës zyrtare në Itali, Kryeparlamentari Veseli shoqërohet edhe nga përfaqësues të Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës: Glauk Konjufca (VV), Aida Dërguti (PSD), Ahmet Isufi (AAK), Sasa Milosavljeviq (LS), Haxhi Shala (NISMA) dhe Albert Kinolli (6+).