17:15 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Vetëvendosje: S`na mjafton ndërprerja e paraburgimit, aktivistët të shpallen të pafajshëm

Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi kanë bërë me dije se nuk u mjafton masa e ndërprerjes së paraburgimit për aktivistët e tyre.

Sipas kësaj partie, aktivistët e tyre duhet të shpallen të pafajshëm meqë Prokuroria Speciale padrejtësisht i kishte akuzuar Frashër Krasniqin, Adea Batushën, Atdhe Arifin dhe Egzon Halitin.

Ky është shkrimi i plotë i Vetëvendosjes në Facebook:

Ativistët duhet të shpallen të pafajshëm

Gjykata e Apelit ka ndërprerë sot masën e paraburgimit ndaj tre aktivistëve të dënuar për sulmin në Kuvend, duke e zbutur kësisoj një padrejtësi e cila ka filluar qysh prej datës 29 gusht 2016 kur ishin arrestuar gjashtë aktivistë të Lëvizjes.

Kjo gjykatë ua ka caktuar masën për mbrojtje në liri aktivistëve Egzon Halitit, Frashër Krasniqit, dhe Atdhe Arifit të cilët Prokuroria speciale padrejtësisht i ka akuzuar për kryerje të veprës penale e bashkë me ta edhe Adea Batushën. Të katër bashkë Gjykata e Shkallës së parë i pati dënuar me 21 vite burg.

Megjithëse aktvendimi ka të bëjë vetëm me ndërprerjen e masës së paraburgimit është hap i mirë që aktivistëve t’u rikthehet liria e rrëmbyer padrejtësisht. Kjo masë nuk është e mjaftueshme dhe ne kërkojmë lirimin e plotë dhe shpalljen e tyre të pafajshëm. Kjo është më e pakta që mund të bëhet si korrigjim i padrejtësive të shkaktuara në një proces i cili deri më tani i ka marrë 18 muaj.

Drejtësia duhet të triumfojë përmbi ndikimin dhe diktatin politik.