21:47 / E Martë, 22 Maj 2018 / indeksADMonline

Vonesa e rezultateve të autopsisë, lë shumë vdekje pa u zbuluar

Autopsia është një metodë teknike mjekësore, shkencore dhe deontologjike që shërben për të kuptuar shkakun e vdekjes së njerëzve.

Mirëpo, ka mjaftë raste kur rezultatet e autopsive të njerëzve që kanë vdekur vonohen me vite.

Vetëm në Prokurorinë Themelore të Pejës për një raport të autopsisë pritet deri në dy vite.

Në një përgjigje të tyre për Indeksonline bëhet e ditur se aktualisht janë 41 kërkesa për autopsi.

“Prokuroria Themelore në Pejë momentalisht i ka rreth 41 kërkesa për Autopsi të cilat priten për ardhje. Për një raport të autopsisë pritet 1 vit deri në dy vite”, thuhet në përgjigjën e prokurorisë.

Krejt këto vonesa po bëhen për shkak të laboratorëve që kryhen këto analiza, e të cilat kanë nevojë të avancohen.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu për Indeksonline ka thënë se ka mjaftë raste, rezultatet e autopsive që janë duke i pritur.

“Ka raste të autopsive që janë në pritje të rezultateve. Nuk e di saktësisht, por ka mjaftë raste. Kjo sepse ne po ballafaqohemi me substanca të reja të cilat janë të panjohura për mjetet që posedojmë”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka shtuar se kërkesë e tyre është që laboratori të avancohet përmes ekspertëve të EU-së për shkak se kanë nevojë për ndihmë profesionale.

“Jemi në fazën e ngritjes së kapaciteteve të laboratorit të toksikologjisë e cila ka filluar me projektin IPA I dhe për këtë arsye se kemi nevojë për ndihmë profesionale. E kemi fituar projektin e IPA II. Kërkesa jonë është e përqendruar që ky laborator të avancohet përmes ekspertëve të EU-së në kuadër të projektit IPA II”, ka shtuar me tutje Gërxhaliu.

Ndryshe, nga Prokuroria Themelore në Pejë që pritet deri në dy vite për një rezultat të autopsisë, në atë të Gjakovës, ndodh të presin 2 e me shumë muaj.

Mirëpo, ata sqarojnë se ka raste kur prokurorët lëshojnë edhe një kërkesë të dytë në mënyrë urgjente.

“Në P.Th. në Gjakovë, për vitin 2018 deri me tani kemi vetëm një rast të pritjes së autopsisë të kërkuar nga prokuroria me dt. 22.03.2018 të cilën akoma nuk e kemi marrë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjën e tyre.

Departamenti i Mjekësisë Ligjore funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe kryen autopsinë tek rastet të cilat organet e drejtësisë i listojnë si raste të dyshimta./Indeksonline/