16:58 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Vrasja e Azem Hajdarit, Izet Haxhija kërkon në gjyq të ballafaqohet me Sali Berishën (Video)

Në seancën e parë te Gjykata e Tiranës, Izet Haxhia ka kërkuar të ballafaqohet me Sali Berishën, për vrasjen e Azem Hajdarit. Haxhia ka thënë përpara trupit gjykues se ka pasur një plan nga Berisha edhe për vrasjen e tij.
Ish-truproja i Sali Berishës kërkon rihapjen e dosjes ‘Azem Hajdari’.

“Dua të përballem dhe ballafaqohem me denoncuesin tim Sali Berisha”. Kjo ka qenë deklarata e fortë Izet Haxhisë në seancën e parë gjyqësore te Gjykata e Tiranës. Haxhia dhe avokati i tij mbrojtës kërkojnë rigjykim dhe rihapjen e dosjes “Azem Hajdari”.

“Denoncuesi dhe akuzuesi im Sali Berisha ka një marrëveshje të bërë në “Rogner” për të ekzekutuar disa persona. Mes tyre edhe mua. Disa i vranë, mua jo”, ka deklaruar Izeti përpara trupës gjykuese, duke folur për një plan të gjerë ekzekutimesh të cilat sipas tij mbajnë autorësinë e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai ka mohuar të ketë gisht në vrasjen e Azem Hajdarit 12 shtatorin e vitit 1998, ngjarje për të cilën ai është dënuar me 25 vite burg si bashkëpunëtor. Pas seancës së sotme e cila u kryesua nga gjyqtari i “21 janarit” Besnik Hoxha, në 14 qershor do jetë seanca e dytë ku do të shpalosen pretendimet e Prokurorisë.

Kërkesa e palës mbrojtëse është rihapja e këtij procesi. Avokati i Haxhisë në këtë seancë, Bashkim Nikolla, ka paraqitur një dokument të SHIK-ut, i cili ishte raport për vrasjen e Hajdarit, ku sipas tij Haxhia nuk është përmendur asnjëherë.