23:08 / E Diele, 29 Korrik 2018 / indeksADMonline

Vrau se i ngacmuan motrën, arrestohet shqiptari pas 6 vitesh arrati

Ditën e djeshme, Interpol Tirana ka bërë të mundur ekstradimin nga Greqia të 55-vjeçarit Anesti Paskos, i njohur ndryshe edhe me emrin Bedri Ibrahami. Ky i fundit është dënuar me 18 vjet burg për vrasjen në rrethana cilësuese të Gëzim Protoduarit dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në Poshnje, në vitin 2012. Vrasja ndodhi pas një konflikti që kishte lindur për një ngacmim.

Sipas dosjes hetimore, djali i autorit, Klevis Paskos, më 24 maj 2012, është akuzuar nga nipi i viktimës se i ka ngacmuar motrën.

Edhe pse Klevis Paskos nuk e ka pranuar një gjë të tillë, nipi i viktimës ka shkuar ta gjejë më pas në qendër të fshatit për t’u sqaruar.

Aty ata janë konfliktuar. Në darkë, po atë ditë, datë 24.03.2012, autori i vrasjes ka parë të birin, Klevis Paskos, të gjakosur në shtëpi dhe ka mësuar ngjarjen.

Të nesërmen në mëngjes, Anesti Paskos së bashku me djalin shkuan te shtëpia e vëllait të viktimës për t’u pajtuar.

Në datën 26.03.2012, rreth orës 16.30, nipi i viktimës po kthehej nga shkolla së bashku me një shok dhe në afërsi të godinës së Komunës së Poshnjes kanë hasur Anesti Paskosin, i cili i ka thirrur të afrohen.

Ai ka pasur pas vetes një dru dhe kjo ka bërë që të lindë një tjetër konflikt. Po atë ditë, rreth pasdites, B.I. dhe Anesti Paskos kanë qenë duke pirë kafe në një lokal në qendër të fshatit. Aty është afruar një automjet, në të cilin gjendeshin viktima, Gëzim Protoduari, si edhe E. Protoduari, S. Protoduari, M. Protoduari dhe M.K.

Aty ka nisur një konflikt fizik për të njëjtën çështje. Si rezultat i goditjes në gjoks me send të fortë e të mprehtë prerësshpues, shtetasi Gezim Protoduari ndërron jetë gjatë transportimit për në spital. Shtetasit S. Protoduari, E. Protoduari pësojnë goditje me send të fortë të mprehtë. Edhe B.I. dhe Anesti Paskos pësojnë dëmtime të parëndësishme për jetën me mjet të fortë jo të mprehtë.

Shtetasi M.K. është tërhequr nga konflikti. Klevis Paskos, sapo është afruar në vendngjarje, për t’i ardhur në ndihmë të atit dhe xhaxhait, i kanë dalë përpara M. Protoduari dhe M.K., të cilët e kanë kërcënuar për jetën dhe e kanë goditur.

Ai ka rënë në tokë dhe nga frika është spostuar rreth 50 metra më larg. Nuk ka mundur të afrohet në vendin e ngjarjes, por ka parë konfliktin në distancë.

Pasojat në këtë ngjarje kanë ardhur shumë shpejt, pothuajse në dy-tri minuta. Shtetasi Gezim Protoduari, si rezultat i goditjes në gjoks, ka rënë në tokë. I kanë ardhur në ndihmë i biri, S. Protoduari dhe vëllai, E. Protoduari. Në këtë moment, konflikti fizik është ndalur.