15:37 / E Premte, 21 Shtator 2018 / indeksADMonline

Vuçiq: Ndërkombëtarët përkrahin heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë

Duke u përgjigjur në pyetje se a pret që Bashkimi Evropian të reagojë për deklaratat që vijnë nga Prishtina se deri në Vitin e Ri do të hiqet kufiri në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se komuniteti ndërkombëtar as nuk do ta krijonte shtetin e Kosovës sikur të ishte kundër kësaj.

Ai ka thënë se askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk është i befasuar për këtë qëllim të shqiptarëve dhe ka përkujtuar se me rastin e bllokimit të rrugëve në Kosovë gjatë vizitës së tij, askush nga pjesëmarrësit e “asaj dhune” nuk i ka mbajtur flamujt e Kosovë por vetëm të Shqipërisë, transmeton Insajderi.com

“Nuk kishte asnjë flamur të Kosovës, vetëm të Shqipërisë”, ka thënë kryetari serb.

Vuçiq ka deklaruar se Beogradi gjithmonë është për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, por duhet të dihet se cila është tema e bisedimeve.

“Unë të shkoj atje dhe të më thonë se duhet ta njohë Kosovën dhe se nëse jam lider botëror do ta kisha bërë këtë – nuk dua! Nuk më intereson kjo. Nuk më intereson të bëhem lider botëror. Dhe çfarë do të bëjmë tani? Të më shkarkoni siç keni shkarkuar disa të tjerë? Unë nuk shkoj nga ky vend. As unë e as fëmijët e mi, të cilët janë tre. Dhe unë planifikojë, nëse më lejon shëndeti, të plakem këtu”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se nuk është zgjidhje që Serbia të mos fitojë asgjë në dialog dhe të jetë e poshtëruar.

“Unë them se me këtë unë nuk do të pajtohem. Pikë.”, ka thënë ai.

Duke komentuar pretendimin e shefit të delegacionit të BE në Serbi Sam Fabrizi se BE nuk i komenton deklaratat individuale të pjesëmarrësve në dialog, Vuçiq ka thënë se atëherë nuk e ka të qartë përse kanë reaguar në “falsifikimin e deklaratës së tij” në Mitrovicë për ish kryetarin e Serbisë Sllobodan Millosheviq.

“Në atë deklaratë kanë reaguar, por nuk duan për bashkimin e Kosovë dhe Shqipërisë! Nëse reagoni në falsifikimet e një pjese të medieve të juaja, përse nuk reagoni në atë se çfarë bëjnë shqiptarët. Nuk jeni të detyruar. Sa më përket mua, le të bëjnë çfarë të duan”, ka thënë Vuçiq.