09:24 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Vuçiq: Raportet Serbi – Bosnjë janë çelës për stabilitet në Ballkan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se marrëdhëniet ndërmjet Bpsnjë-Hercegovinës dhe Serbisë janë çelës i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe çelës për të ardhme tjetër, më të mirë, të qytetarëve të dy vendeve.

Pas takimit të sotëm në Beograd me anëtarin e presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Dragan Çoviq, zoti Vuçiq tha se kanë biseduar edhe për organizimin e një takimi ndërmjet Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë, raporton agjencia Beta.

“Konsiderojmë se kjo mbledhje do të sillte disa zgjidhje të rëndësishme dhe konkrete dhe se do të kishte rëndësi të madhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Vuçiq, duke theksuar se Serbia është e gatshme që në një takim të tillë të marrë pjesë në nivelin e presidentëve apo të kryeministrave.

Vuçiq, ka njoftuar se në takimin me zotin Çoviq është diskutuar edhe për përcaktimin e kufirit ndërmjet dy vendeve, duke përkujtuar se deri tash janë harmonizuar 373 kilometra të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës./rel