16:06 / E Mërkurë, 25 Korrik 2018 / indeksADMonline

VV kërkon ridraftimin e projektligjit për paga

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të dobët projektligjin për pagat i hartuar nga Qeveria. Sipas kësaj partie, ky projektligj nuk e rregullon kaosin i cili ekziston në sektorin e pagave tek nëpunësit publik.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se Qeveria ka miratuar një projektligj që në asnjë mënyrë nuk i rregullon problemet në sferën e pagave në Kosovë.

Madje, sipas saj, shumë nene të këtij projektligji janë krejtësisht kontradiktore mes vete.

Ajo theksoi se me këtë projektligj, Qeveria ka lënë që shumë çështje të zgjidhen përmes 15 udhëzimeve administrative që duhet të nxjerrën nga ministritë përkatëse.

Ndërsa, profesori Besnik Bislimi ka shpjeguar problemet që ka ky projektligj dhe nenet që duhet të ridraftohen sepse kanë shumë paqartësi.

Madje, sipas, tij, LVV mendon që duhet komplet projektligji të ridraftohet sepse nuk e rregullon sektorin e pagave në sektorin publik.

E pyetur nëse Vetëvendosje do ta votojë këtë projektligj nëse del në këtë mënyrë për votim në seancë, ajo tha se nuk është mirë për vendin të miratohet i tillë siç është, duke mos saktësuar nëse do ta votojnë ose jo.