21:24 / E Enjte, 17 Maj 2018 / indeksADMonline

Zaev dhe Cipras, arrihet marrëveshja për emrin e ri të Maqedonisë

Kryeministrat Zaev dhe Cipras kanë arritur gjuhë të përbashkët për një opsion si zgjidhje e mundshme për çështjen e emrit. Pas takimit në Sofje me homologun e tij grek, Zaev tha se një opsion është i pranueshëm për të dyja palët. Kreu i ekzekutivit tha se tani mbetet që për këtë opsion të konsultohen faktorët e tjerë politikë dhe qytetarët e të dyja vendeve.

Në media u raportua se “Ilindenska Republika Makedonija” është zgjidhja e dakorduar dhe e pranueshme që fshihet pas deklaratës së sotme të kryeministrit Zoran Zaev ne Sofje, kur tha se ekziston një zgjidhje e pranueshme për te dyja palët.

Ne biseduam në mënyrë thelbësore dhe shqyrtuam disa opsione. Një nga opsionet është zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Vazhdojmë me konsultime në shtëpi, që të shohim nëse institucionet e sistemit, nëse praktikisht është e mundshme realizimi i kësaj zgjidhjeje. Nëse është e mundur, me gjasë do të kemi zgjidhje – deklaroi kryeministri Zoran Zaev, shkruan Alsat M.

Zaev ndonëse thekson se zgjidhja përfundimtare e emrit varet nëse opsioni në fjalë do të jetë i pranueshëm nga të gjitha palët në të dyja vendet, gjithsesi është optimist se zgjidhje do të ketë së shpejti, madje para Samiteve të rëndësishme të BE-së dhe NATOs.

Shpresojmë që para Samitit të BE-së të kemi zgjidhje. Shpresoj sinqerisht, por varet nga të dy palët, varet nga institucionet, Presidentët e vendeve, liderët e opozitës, liderët e tjerë politik dhe së fundi nga qytetarët e dy vendeve. Nëse nuk është e mundur ne do të vazhdojmë, me siguri. Ndërtuam miqësi të pakushtëzuar mes nesh dedikuar për një zgjidhje, por shpresoj që të jemi në kohë për ta inkurajuar Këshillin Evropian, NATO-n sepse presim ftesë nga NATO dhe datë për fillim të negociatave me BE-në – theksoi Zoran Zaev.

Zaev siguroi se marrëveshja nuk do të shkelë në dinjitetin e dy popujve.

Nga sot miqësia mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë është edhe më e fuqishme. Zgjidhim kontest që ta forcojmë dinjitetin dhe identitetin e qytetarëve në të dy vendet – shtoi Zaev.

Menjëherë pas takimit Zaev-Cipras, dy kryeministrat veç e veç takuan kancelaren gjermane, Angela Merkel. Merkel konfirmoi se Maqedonia dhe Greqia kanë shënuar përparim të rëndësishëm për çështjen e ermit.

Bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë përparojnë mirë dhe është shënuar progres i rëndësishëm. Çështja e emrit për Maqedoninë është e rëndësishme – tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

Sa i përket zgjerimit të BE-së Merkel tha se për këtë çështje do të vendoset në Samitin e Unionit në qershor. Ajo ka konfirmuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.