21:10 / E Martë, 09 Janar 2018 / indeksADMonline

Zbatimi i MSA-së për një vit, flasin ekonomistët

Me 1 prill 2016, zyrtarisht nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës. E nënshkruar më 27 tetor 2015, kjo marrëveshje u cilësua si sukses në ekonominë e vendit dhe përparësi për prodhuesit vendor.

Duke parë zbatimin e saj për vitin 2017, analistë e vlerësojnë në mënyra të ndryshme.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri për Indeksonline ka thënë se Kosova po i përmbush në mënyrë të duhur obligimet që dalin nga MSA, por që për të pas një efekt pozitiv në planin afatgjatë, duhet një seriozitet më i madh i Qeverisë.

“Republika e Kosovës është rrugës së duhur sa i përket obligimeve që dalin nga MSA-ja, siç jemi dëshmitar shumica e kompanive kosovare e kanë rritë cilësinë e produkteve që prodhojnë, janë pajisur me certifikata të ndryshme, sipas kërkesës së BE-se, kanë rrit transparencën, janë pajisë me teknologjinë e fundit, thjesht MSA-ja në planin afatgjatë do të ketë shumë efekt pozitiv, mirëpo duhet një seriozitet më i madh i Qeverisë së vendit lidhur me obligimet reciproke”, ka thënë Beqiri.

Përmes kësaj marrëveshje, në Kosovë deri në vitin 2020 do të investohen mbi 600 milionë euro. Por, për Beqirin vështirësia në këtë rrugë del të jetë cilësia e produkteve nga BE që është e ndryshme nga ato vendore.

“Në kuadër të MSA-së, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do të investojë në Kosovë mbi 600 milionë euro. Marrëveshja për Stabilizim Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës pa dyshim se do të ketë vështirësi, sepse vendet e BE-së do të eksportojnë produkte shumë kualitative në tregun tonë dhe dihet cilësia e produkteve që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe i atyre vendore. Një pengesë e madhe në rritjen e të hyrave të buxhetit është përhapja e ekonomisë joformale. Kosova duhet të hartoi strategji efektive për luftimin e ekonomisë informale, siç janë përllogarit dëmet nga informaliteti që kapin shifrën e 500 milionë eurove në vit”, ka deklaruar Beqiri.

Ndërsa për ekonomistin tjetër Mustafë Kadriajn, edhe pas nënshkrimit të MSA-së, Kosova po e mbyll bilancin tregtar negativ, më import më të madh pasi prodhuesit vendor nuk mund t’i bëjnë ballë konkurrencës për shkak të cilësisë së produkteve.

“Edhe pse marrëveshja e MSA-së për Kosovën është cilësuar si nder kontratat me serioze dhe premtuese për Kosovën, që nga fillimi ka pasur dozë të pesimizmit gjatë zbatimit duke e marrë për bazë nivelin e demokracisë në vend, po ashtu edhe nivelin e bizneseve vendore, konkretisht bizneseve prodhuese. Pra, edhe pas marrëveshjes se MSA-së, Kosova po e mbyll bilancin tregtar negativ, me një import dukshëm më të madh sepse prodhuesit vendor nuk mund te jenë konkurrent për nga vëllimi i prodhimit si dhe cilësisë, ku si rezultat kemi ngufatje te prodhuese vendor”, ka thënë Kadriaj.

Ndonëse, në vitin 2017 ka pasur lëvizje pozitive të eksportit, Kadriaj thotë se Kosova ende është larg lansimit të produkteve vendore në tregun rajonal e më gjerë.

“Mendoj që marrëveshja e MSA-së përkundër përparësive, Kosova nuk ka trajtim të njëjtë nga Bashkimi Evropian, si rezultat i mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së. Po ashtu edhe mosliberalizimi i vizave, që ndikon negativisht në eksportin e Kosovës sepse prodhuesi vendor për të lëvizur jashtë Kosovës, duhet te ketë vizën”, ka shtuar Kadriaj.

Kadriaj vë theksin te skena politike që sipas tij duhet të ndërmarr hapa të duhur në pajtim me agjendën evropiane.

“Me këto sjellje aspak korrekte të skenës politike, Kosova po humb si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, duke humbur besimin në partnerët ndërkombëtar, duke mos i ofruar prodhuesve vendor benificione, siguri në të bërin biznes, furnizim të rregullt të energjisë. Perspektiva ekonomike ende është larg për një ekonomi konkurrente, me produkte qe do të gjejnë konsumatorin edhe jashtë territorit të Kosovës”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, në konferencën e fundvitit të Doganës, u tha se deri më tani janë mbledhur mbi 1 miliard e 117 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar, rritja e të hyrave është 65 milionë euro më shumë. Buxheti në masë të madhe është rritur nga të hyrat e cigareve, nafta dhe mjetet motorike./Indeksonine/