22:13 / E enjte, 12 Tetor 2017

Premtohet ligj për Drenasin dhe stadium olimpik

Premtohet ligj për Drenasin dhe stadium olimpik

Sonte në Radio Televizioni i Kosovës në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kandidatët për kryetar të Komunës së Drenasit kanë prezantuar ofertën e tyre.

Ramiz Lladrovci, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se  po ka mbështetje të madhe në punën e tij që e ka bërë. “Ne do të vazhdojmë me punë, siç kemi vazhduar deri më tani. Do të bëjmë Drenasin më atraktiv me punë konkrete. Kemi thënë se kemi rritur disiplinën në arsim dhe në institucionet e tjera”, tha ai.

Sipas tij në qeverisjen e tij për katër vitet e ardhshëm nuk do të mbetet asnjë rrugë pa u shtruar. Ai ka premtuar edhe Stadium Olimpik të Kosovës, që mund të ndërtohet tek Kroni i Mbretit.

Isa Xhemajlaj, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga Nisma për Kosovën, vlerësoi se kjo parti ofron program të veçantë për Drenasin.

“Ne kemi prioritet zhvillimin ekonomik, i kushtojmë rëndësi shëndetësisë, arsimit, kulturës, rinisë, e sportit. Do të i japim mbështetje edhe kompanive që janë të interesuar për të investuar në Drenas. Për këto investime Drenasi ka nevojë që të ketë zhvillim ekonomik”, theksoi Xhemajlaj. Sipas tij edhe bujqësia nuk do të lihet anash. Ai tha se do të punojë edhe që edhe fushat e tjera të kenë prioritet në qeverisjen e ardhshme nëse merr besimin qytetarë.

Bedri Nika, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), vlerësoi se “Forca nuk sjellë ndryshimin”, por shkatërrimin që aludoi tek slogani i PDK-së,”Forca e ndryshimit”.

Ai ka kritikuar se ka pasur dështim në qeverisjet e kaluara në Drenas që nga pas lufta udhëhiqet nga PDK-ja. “Ne u ofrojmë Lidhjen me pleq, gra, të rinj, intelektual etj. Ne si LDK kemi renditur prioritetet për të zhvilluar Drenasin, duke veçuar ambient të favorshëm për të zhvilluar komunën”, tha ai. Nika beson se qytetarët e Drenasit do të zgjedhin LDK-në që të jetë në qeverisje për katër vitet e ardhshme.

Arta Ahmeti-Xhylani, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se kanë marrë zotim nga kryeministri i Kosovës. “Unë kam marrë përkrahje nga kryeministri që të kemi Ligj për Drenasin për shkak të ndotjeve nga Ferronikeli dhe KEK-u. Po ashtu edhe të kemi nxemje qendrore si në Prishtinë”, tha ajo. Sipas saj shumë projekte që i ka në planin e saj do të marrin përkrahje nga qeveria qendrore.

Shemsi Elezi, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se VV-ja është përgatitur për këto zgjedhje me programin dhe alternativën më të mirë për të gjithë qytetarët e Drenasit. ‘Ne kemi programin tonë që bazohet në zhvillimin ekonomik. Me qeverisjen tonë do të jetë ndryshe në shëndetësi, arsim. Do të ketë përkrahje për kategoritë e rrezikuar. Ne marrim shembullin qeverisjen në Prishtinë, që janë bërë ndryshime’, tha Elezi.

Xhavit Drenori, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga Vizioni për Drenasin, tha se platforma e tij është një kontratë me qytetarët e Drenasit. Sipas tij deri më tani ka pasur keq qeverisje në Drenas dhe për këtë ai zotohet se do të punojë që të ketë ndryshime në Drenas. Ai ka kritikuar qeverisjen në Drenas se nuk ka pasur transparencë në qeverisje. “Programi ynë është për zhvillimin ekonomik, ku do të hapim zyre në Drenas për këtë çështje. Jemi në kontakt me investitorë nga diaspora që të sjellin kapitalin në Drenas”, tha Drenori.

Petrit Sinani, kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit nga Aleanca Kosova e Re (AKR), tha se kanë hartuar program për Drenasin. ‘Me këtë program involvohen të gjithë qytetarët e Drenasit. Programi ynë bazohet në punësim dhe zhvillim. Programi i AKR-së, bazohet për çdo qytetarin. Bujqësia është ne prioritet, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, e ambienti, urbanizmi, qeverisje e mirë, kultura, rinia e sporti”, tha Sinani.

I ftuar në debati ka qenë edhe Idriz Hajdari nga Iniciativa për Drenasin.


Temat:
Lexo të tjera