15:29 / E Enjte, 12 Korrik 2018 / k.v

Zjarrfikësit ndërprenë protestën para Qeverisë (Video/Foto)

Zjarrfikës nga komuna të ndryshme të vendit kanë ndërprerë protestën e tyre disa orëshe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, pasi kjo e fundit u ka premtuar atyre që sa më shpejt do të definohet statusi i tyre. Madje disa nga organizatorët e protestës kanë zhvilluar edhe një takim me kryeministrin Hardainaj përkitazi me kërkesat e tyre.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka ka thënë se ata e kenë treguar veten, duke pasur sfida të ndryshme prej kur janë formuar njësitet e zjarrfikësve, transmeton Indeksonline.

“Institucionet nuk kenë të gatshme, nuk na kuptuan. Na injoruan, na përbuzën dhe është një moment që zjarrfikësit janë shumë të zhgënjyer, të revoltuar dhe se kjo situatë s’mund të vazhdojë në pafundësi”, ka thënë Beka.

Ndërsa zyrtarë nga qeveria kanë thënë se sot e kanë ndjekur me vëmendje protestën e zjarrfikësve të Kosovës dhe ka angazhuar përfaqësuesit e saj që të sqarojnë për ta, vullnetin e Qeverisë për ta zgjidhur problemin e tyre.

“Ju informojmë që për herë të parë në Kosovë, e iniciuar me kërkesën personale të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndërmarrë nisma për zgjidhjen e padefinuar të statusit të tyre, përmes krijimit të koncept dokumentit, që më vonë do të bëhet edhe rregullore e punës dhe i cili do të përcaktojë qartë statusin e zjarrfikëseve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kjo rregullore, sipas tyre, do të përfshijë edhe shumicën e kërkesave që zjarrfikësit kanë, përmes komisionit i cili po punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Është e rëndësishme të njoftohet opinioni, por edhe zjarrfikësit, që një pjesë e kërkesave të tyre kanë të bëjnë me Komunat, nga të cilat menaxhohen dhe vetëm përmes nismës tonë, konfuziteti se kujt i takojnë në menaxhim dhe në paga, do të sqarohet, përmes ligjit”, thuhet nga zyrtarët qeveritar.

Definimi i statusit të zjarrfikësve do të jetë zgjidhja e vetme dhe afatgjate për ta dhe këtë rrugë është duke e ndjekur Qeveria e Kosovës dhe për këtë janë njoftuar edhe drejtuesit e zjarrfikësve të Kosovës./Indeksonline/