10:14 / E Enjte, 12 Korrik 2018 / k.v

Zjarrfikësit protestojnë para Qeverisë. Këto janë kërkesat e tyre (Foto)

Qindra zjarrfikës të Kosovës, të pakënaqur me kushtet dhe pozitën e tyre, kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka ka thënë se ata e kenë treguar veten, duke pasur sfida të ndryshme prej kur janë formuar njësitet e zjarrfikësve, transmeton Indeksonline.

“Institucionet nuk kenë të gatshme, nuk na kuptuan. Na injoruan, na përbuzën dhe është një moment që zjarrfikësit janë shumë të zhgënjyer, të revoltuar dhe se kjo situatë s’mund të vazhdojë në pafundësi”, ka thënë Beka.

Ai tha se kërkesat e zjarrfikësve janë që të reagojnë dhe të aplikojnë masat sindikale deri në realizimin e kërkesave të tyre e që ato janë të njohura për institucionet.

Zjarrfikësit i kanë dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt  për kërkesat e tyre.

Më poshtë teksti i letrës:  

Me qëllim të tejkalimit të kësaj gjendje të krijuar dhe  uljes së pakënaqësive që ka kapluar Shërbimin e Zjarrfikësve të Kosovës, ne përfaqësuesit e Këshillit të Protestës, kërkojmë që të fillojë dialogimi për plotësimin e kërkesave të drejta dhe legjitime të cilat vite me radhë në vazhdimësi janë prolonguar.

Prandaj, pasi qederi më tash nuk ka reflektim nga institucionet dhe mos marrja e përgjegjësisë për tejkalimin e gjendjes së krijuar dhe heshtjes institucionale si nga niveli lokal dhe niveli Qendror, hedhja  e përgjegjësive njëra tjetrës. Anasjelltas, mos implementimi i ligjeve në fuqi, mos implementimi i vendimit të ish kryeministrit, Hashim Thaçi, i vitit 2013, për transferim nga niveli lokal në atë qendror, duke përfshi ndryshime bugjetore, vendimi i Ministrit të MPB/MAP për transfer të shërbimit nga komunat në MPB/MAP, mos bartja e bugjetit nga niveli lokal në atë qendror ka krijuar këtë situatë konfuze dhe të pa qartë.

Kërkojmë që urgjentisht të shqyrtohet agjenda alarmante në këtë shërbim, dhe për tejkalimin e situatës të organizohet një takim i përbashkët me ministritë përkatëse relevante në përbërje: Kryeministri, Ministria e Financave, MPB, MAP, Ministria E Pushtetit Lokal dhe AME me përfaqësuesit e sindikatës.

Kërkesat e sindikatës janë:

–              Të rregullohet statusi juridik

–              Definimi i kompetencave menaxhuese

–              Të sigurohet vija buxhetore

–              Të bëhet nivelizimi i koeficienteve në nivel të komunave

–              Të bëhet nivelizimi i rrezikshmërisë në punë, me Policinë e Kosovës

–              Të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe fetare dhe orët jashtë orarit

–              Pagat e zjarrfikësve të nivelizohen me shërbimet emergjente

–              Të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen dhe mjete për punë

–              Të kompensohen shërbimet mjekësore të lëndimeve në punë.

Për çështjet tjera,kërkesave rreth organizimit, mundemi që t’i diskutojë në rrethana tjera

Këshilli Organizativ i Protestës.