12:31 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Zv/ministri i MPB-së: Shpresojmë në gjetjen e dy policëve të zhdukur

U bënë tri ditë kur dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena, janë zhdukur në rrugën Kaçanik-Hani i Elezit, ku dyshohet se me veturën zyrtare kanë përfunduar në një humnerë 100 metërshe.

Zv/ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë se ky është një rast i rëndë kur ende nuk është arritur të zbulohen detajet rreth rastit të dy policëve që ishin në shërbim të sigurisë së Kosovës.

“Mbetemi me shpresë që sot në ditë e tretë ekipet efikase të Policisë së Kosovës, FSK-ja dhe ekipe të KFOR-it të arrijnë gjetjen e dy pjesëtarëve të policisë. Besoj fuqishëm se organet shtetërore të Kosovës do t’i dalin në krye kësaj tragjedie”, ka thënë Zeka.

Ai tha se ky rast është i rëndë për institucionet e Kosovës por edhe për familjarët e tyre.

“MPB-ja do të bëjë çka është e mundur për zbardhjen dhe gjetjen e dy pjesëtarëve të policisë së Kosovës”, ka thënë ai./Indeksonline/